Qeveria gjermane: Dialogu Kosovë – Serbi të rinisë shpejt, kemi koordinim të ngushtë me Francën e SHBA-në

  • 14 November 2019 - 15:38
Qeveria gjermane: Dialogu Kosovë – Serbi të rinisë shpejt, kemi koordinim të ngushtë me Francën e SHBA-në

Gjermania e kancelares gjermane, Angela Merkel, kërkon një rikthim të shpejtë të Kosovës dhe Serbisë në dialogun për normalizim të raporteve të drejtuara nga Bashkimi Evropian. Për rinisjen e negociatave, ndërkohë ajo tregon se ka bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë me partnerët, Francën dhe SHBA-në.

Teksa fundi i vitit afrohet, përpjekjet dhe presionet për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa vijnë e shtohen. E vetmja pengesë aktuale për rikthimin në tavolinën e bisedimeve është mungesa e një qeverie në Kosovë, që pritet se shpejti të ngjizet nga një koalicion LDK-VV pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Megjithatë edhe përkundër kësaj situate, takimet e niveleve të larta Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të shteteve të fuqishme të BE’së nuk mungojnë.

Të mërkurën në Paris, më iniciativë të presidentit të Francës, Emanuel Macron, është zhvilluar një takim në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq, në të cilin është folur për dialogun dhe nevojën më zhbllokimin e tij.

Një rinisje të shpejtë të dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian e kërkon edhe Gjermania e kancelares Angela Merkel. Kështu ka thënë ekskluzivisht për media një zëdhënës i qeverisë gjermane.

“Gjermania mbështet plotësisht një rifillim të shpejtë të dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë nga zyra për media e Qeverisë gjermane.

Ndërkohë pas takimeve në Paris të kësaj jave, presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka folur edhe për një plan të presidentit të Francës, Emanuel Macron, për një takim të mundshëm Kosovë-Serbi që do të mbahet në kryeqytetin Francez. 

Por a ka koordinim gjermano-francez për një plan të tillë, apo është një iniciativë personale e presidentit Macron?- Nga zyra e kancelares Merkel thonë se ka një koordinim, duke treguar se janë marrë vesh të bashkëpunojnë rreth asaj se si do të veprohet pas Samitit të Berlinit i cili ishte mbajtur më 29 prill të këtij viti.

“Franca dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë për atë sesi të veprohet tutje pas Samitit të 29 prillit në Berlin”, thekson përgjigja.

Tutje nga Qeveria e kancelares Merkel thonë se e mirëpresin mbështetjen e fuqishme të SHBA’së për Ballkanin dhe tregojnë së bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë amerikane për synimet që i kanë.

“Gjermania mirëpres mbështetjen e fuqishme të SHBA’së për Ballkanin, dhe për synimet tona  koordinohemi ngushtë me qeverinë amerikane”, ka thënë ky zëdhënës i qeverisë gjermane.

Media gjithashtu është interesuar nëse çështja e Kosovës është diskutuar në një takim që Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka pasur në Berlin, me shefen e qeverisë gjermane, Angela Merkel, ku ka qenë i pranishëm edhe emisari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Megjithatë lidhur me këtë s’kanë pranuar që të japin ndonjë koment, për shkak të konfidencialitetit.

(Kosova Sot Online)