Zhvarrosja e trupit të 16 vjeçares të vrarë në Llaushë në kohë lufte – i dyshuar është axha i saj

  • 14 November 2019 - 15:49
Zhvarrosja e trupit të 16 vjeçares të vrarë në Llaushë në kohë lufte – i dyshuar është axha i saj

Dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë mund të hidhet dritë mbi një vrasje që e kishte tronditur Llaushën e Skenderajt. Me armë zjarri jo fort larg shtëpisë së saj ishte vrarë atëherë një 16-vjeçare, derisa, prapavija e asaj nate maji nuk u morr vesh asnjëherë. Dyshimet janë se plumbat u shkrepën për një arsye tejet banale. I dyshuari është axha i të ndjerës.

20 vite më parë, pak javë para së në vend të hynin forcat e NATO-s e të jepej lajmi për çlirimin e Kosovës, një vrasje tronditi Llaushën e Skenderajt.

Në majin e vitit 1999, me disa plumba do të vritej në malin e Llaushës një 16-vjeçare, derisa me vdekjen e saj asnjëherë nuk u zbuluan rrethanat se si u vra ajo.

Dy dekada më vonë, nga varrezat ku po prehej, trupi i të ndjerës është zhvarrosur, për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Lajmin për këtë e kanë bërë policia përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Me datën 13.11.2019 njësitë policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë  kanë zbatuar urdhëresën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ku në malet e fshatit Llaushë është bërë hapja ekshumimi i një varri ku janë gjetur mbetje mortore të trupit të njeriut të cilat janë marrë dhe dërguar në  Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Media ka kontaktuar për këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Nga zyra për media është bërë e ditur se bëhet fjalë për një 16-vjecare që dyshohet se është vrarë gjatë kohës së luftës.

“Ju informojmë që kemi të bëjmë me gjetjen e mbetjeve mortore që dyshohen që i përkasin një femre të moshës rreth 16 vjeçare, e cila dyshohet që është vrarë gjatë luftës në periudhën prill maj 1999. Me kërkesë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, dhe me urdhër të prokurorit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është urdhëruar ekshumimi, ku mbetjet mortore të gjetura janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Në këtë fazë jemi në proces të grumbullimit të informatave, dhe njëherit priten rezultatet e autopsisë, në mënyrë që të dihen shkaqet e vdekjes”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Prapavija e kësaj ngjarje tronditëse

Vrasja me disa plumba e 16-vjeçares (emri i të cilët nuk do të zbulohet për shkak të ndjeshmërisë së rastit), nuk u hetua asnjëherë. Gjithçka që kishte ndodhur 20 vite më parë dihej mirë nga familja, e gjithë rrethina, mirëpo, kurrë për këtë nuk pati hetime, e askush nuk u vu nën pranga.

Sic rrëfejnë disa burime të Gazetës që janë në dijeni për këtë rast, në kohën kur Kosova kishte qenë në periudhë të luftës, të dyshuar nuk janë pushtuesit serb, mirëpo, siç bëhet e ditur një familjar i vajzës.

Rasti kishte ndodhur në vitin 1999, në fshatin Llaushë të Skenderajt, kur kishin mbetur edhe pak ditë nga çlirimi i Kosovës. Atëherë, serbët veçse kishin filluar që të tërhiqeshin dhe qytetarët kishin filluar që të lëviznin lirshëm.

Bëhet e ditur se vajza së bashku me një shoqe, në ditën kur kishte ndodhur krimi ishte duke shkuar për në qytetin Skenderajt.

Në atë ditë, policia  serbe që ishin duke operuar në atë anë, do ta merrnin vajzën dhe shoqen e saj për t’i ndalë në postbllok dhe nuk do t’i lironin për një kohë. Krejt ky rast u përcoll nga axha i të ndjerës T.SH. (emër i njohur për redaksinë), që në atë kohë kishte qenë ushtar i UÇK-së.

Ai e kishte parë mbesën duke folur me serbët, dhe kishte pretenduar se ajo kishte pasur diçka me ta. Kur vajza u kthye në shtëpi pak orë më vonë, axha i së njëjtës do ta merrte për ta dërguar në mal, ku edhe dyshohet se e ka vrarë me disa plumba.

Sipas dëshmitarëve, trupi i pajetë i saj ka qëndruar për një natë në mal, derisa të nesërmen trupi është marrë nga  familja e ngushtë dhe është varrosur.

Ky rast u hesht për 20 vite, pasi babai i 16-vjeçares asokohe e kishte arsyetuar veprimin e të vëllait. Mirëpo, ngjarja la pasoja në familjen e të ndjerës.

(Kosova Sot Online)