Nisma hyn në Kuvend, Supremja i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat

  • 14 nëntor 2019 - 16:12
Nisma hyn në Kuvend, Supremja i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat

Gjykata Supreme ka vendosur sot që fletëvotimet e ardhura nga shteti serb, mbi 3 mijë e 700 pako të mos jenë pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të gjashtë tetorit.

Gjykata Supreme ka refuzuar të gjitha ankesat, përfshirë këtu të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, KDTP-së, PLE-së, PDA-së e PDS-së në PZAP, i cili urdhëronte Komisionin Qendror Zgjedhor heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia.

“Gjykata Supreme brenda afatit ligjor ka shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me gjitha ankesat e pranuara nga deputet të subjekteve politike. Gjykata Supreme ka pranuar 7 ankesa të deputetëve nga subjekte të ndryshme politike. Pas shqyrtimit nga ana e Kolegjit ankesa nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) është refuzuar, dy ankesa nga deputetë të Lëvizja Vetëvendosje-së (LVV) janë refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Demokratike të Ashkalinjve (PDA) është refuzuar dhe Ankesa nga deputetë të Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e pa-lejuar”, thuhet në përgjigjen e dërguar për media.

Kësisoj, Nisma Socialdemokrate pritet të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve veçse ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e mbi 1400 vendvotimeve.

Pritet që rinumërimi e certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zgjasë deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë. 

(Kosova Sot Online)