Ftesa e Speciales, Kadri Veselit i vjen paralajmërimi i rëndë për SHIK-un dhe vrasjet politike

  • 15 November 2019 - 16:31
Ftesa e Speciales, Kadri Veselit i vjen paralajmërimi i rëndë për SHIK-un dhe vrasjet politike

“Se çka ka ndodhur saktë në prapaskenat e luftës çlirimtare, por edhe në 20 vitet e fundit te pasluftës, përderisa në Kosove nuk ka sundim te ligjit, dhe nëntoka kriminale është duke sunduar ende shtetin, bashkë me pushtetarët e inkriminuar, një pjesë e tyre individë që përmenden edhe në raportin e Dik Martit, përfundimisht pritet të zbardhen vetëm nga dhomat e specializuara të Gjykatës së Hagës”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Tanimë është bërë publike se në mesin e shumë të ftuarave për intervistim nga Gjykata Speciale, është edhe ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish krye shefi i SHIK-ut.

Analistët politikë mendojnë se ftesa për Veselin mundë të jetë vendimtare sa i takon zbardhjes dhe dhënies përgjigje përfundimtare akuzave dhe dyshimeve për vrasjet me motive politike, që janë bërë gjatë dhe pas luftës, akuza këto që i janë veshur vazhdimisht strukturës së SHIK-ut, shërbim ky i udhëhequr nga Kadri Veseli.

Lidhur me këto pretendime, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Gani Qarri, sipas të cilit shkuarja në Hagë e Kadri Veselit dhe marrja e tij në pyetje, dhe hetimet që do të zhvillohen, do të japin shpresë për zbardhjen e krejt asaj çka supozohet se ka ndodhur në prapaskenat e luftës çlirimtare, sado që disa gjëra mundë të jenë vjetërsuar dhe humbur dëshmitë në kohë.

Image
Gani Qarri

“Vet fakti se qysh në vitet e para të pasluftës në Kosovë janë vrarë qindra veta, për shumicën prej të cilëve, sidomos LDK ka fajësuar në vazhdimësi SHIK-un, e megjithatë Kadri Veseli dhe organizata që ai udhëhiqte, jo vetëm që nuk ka ndihmuar në zbardhjen e asnjë rasti, por në gjithë vendin ka mbretëruar bindja e përgjithshme sikur SHIK, ka kundërvepruar që të mos dihet dhe gjendet asnjë nga dorasit e këtyre akteve makabre, krijon dyshime të mjaftueshme që si shef i kësaj organizate, nëse jo si i dyshuar, ai të paktën të ftohet në cilësinë e dëshmitarit nga dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale. Ndaj nuk do mend se prej kohësh ishte e pritshme, që siç edhe është bërë tanimë publikisht e ditur, Kadri Veseli, si krye shefi i SHIK-ut, të marr ftesën nga Gjykata Speciale në Hagë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”

Qarri rikujton për opinionin publik se si edhe senatori zviceran, Dik Marti në raportin e tij e kishte ndërlidhur Veselin edhe me qendrat e paraburgimit të UÇK-së, duke deklaruar publikisht se ende ka dëshmitarë të mbijetuar të këtyre vendeve dhe ngjarjeve. 

“Veçanërisht te pjesa ku flitet për qendrat e paraburgimit të UÇK-së, raporti i Dick Martit fajëson në mënyrë të drejtpërdrejtë z.Kadri Veseli si një nga njerëzit që ushtronte kontroll mbi këtë operacion të UÇK-së, ndërsa si fakt për ekzistimin e tyre dhe për krimet e supozuara se u bën në to, ai përmend rastet gjyqësore në Kosovë. Raporti pretendon që fakti i pretendimeve të Dick Martit, se operacioni i UÇK-së për të pasur qendra paraburgimi në Shqipëri, konfirmohet me vetë proceset gjyqësore të zhvilluara kundër Sabit Gecit,Riza Alijajt e Xhemshit Krasniqit, të cilët thotë se kanë bashkëpunuar me komandantë të tjerë të UÇK-së, si me të ndjerin Xheladin Gashi, por edhe janë koordinuar me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Madje sipas Dik Martit, disa nga anëtarët më të rëndësishëm të “Grupit të Drenicës” të udhëhequr nga Hashim Thaçi e që sipas tij, ishin edhe bashkë-konspirator në kategori dhe role të ndryshme të veprimtarive kriminale, janë: Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj’, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, raporti i Dick Martit ka theksuar se të gjithë këta që u hetuan në mënyrë të përsëritur në dekadën e fundit si të dyshuar për krime lufte ose ndërmarrje të organizuara kriminale, të gjithë i janë shmangur drejtësinë efektive që do të duhej rezultuar me ndëshkim në burg dhe do të duhej të ishin në vuajtje të dënimit.

“Hartuesi i këtij raporti, Dick Marty konstaton se të gjithë këta njerëz do të ishin dënuar për krime të rënda dhe tani do të ishin në vuajtje të dënimeve të gjata me burg, por për dy dekada me radhë ata janë konsideruar të paprekshëm. Për aq më tepër raporti i Martit kishte konstatuar, se kjo e ka lejuar Hashim Thaçin që ta zgjeroi “Grupin e Drenicës” me anëtarë të tjerë duke shfrytëzuar pozitat më të mira për të grumbulluar pasuri krejtësisht jo-proporcionale me aktivitet e tyre të deklaruara, grup në të cilin bënte pjesë edhe Kadri Veseli i cili sipas Dick Martit, ka arritur të eliminojë ose frikësojë pjesën më të madhe të dëshmitarëve duke përdorur dhunën, kërcënimet dhe shantazhet e vazhdueshme”, tha analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri thotë se do të jetë një punë e vështirë për të zbardhur e vërteta e dhimbshme e situatës kriminale të pas luftës, sepse për dy dekada nuk ka funksionuar shteti i së drejtës, por politika e inkriminuar thellësisht në krime nga më të ndryshmet që e ka kontrolluar edhe sistemin e drejtësisë.

“Se çka ka ndodhur saktë në prapaskenat e luftës çlirimtare, por edhe në 20 vitet e fundit te pasluftës, përderisa në Kosove nuk ka sundim te ligjit, dhe nëntoka kriminale është duke sunduar ende shtetin, bashkë me pushtetarët e inkriminuar, një pjesë e tyre individë që përmenden edhe në raportin e Dik Martit, përfundimisht pritet të zbardhen vetëm nga dhomat e specializuara të Gjykatës së Hagës”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )