Krasniqi këshillon Kurtin: VV-ja duhet të sillet me gjakftohtësi edhe nëse opozita përdorë armët sikur ju

  • 16 November 2019 - 14:40
Krasniqi këshillon Kurtin: VV-ja duhet të sillet me gjakftohtësi edhe nëse opozita përdorë armët sikur ju

Jakup Krasniqi e ka këshilluar Lëvizjen Vetëvendosje të pranojë kritikat nga partitë opozitare dhe të sillet me gjakftohtësi. Ka thënë se partia fituese duhet të mësohet me kritikat opozitare edhe sikur PDK, AAK e NISMA të përdorshin armë kundër pushtetit ashtu siç kishte vepruar Vetëvendosje kur ishte humbëse e zgjedhjeve.

Ish-kryeparlamentari përmes Facebook-ut ka shkruar se edhe gjatë kohës sa ka qenë në PDK, qëndrimi në opozitë pas zgjedhjeve të 2004-ës i kanë mundësuar që t’i fitojnë zgjedhjet.

Krasniqi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet tash e tutje të mësohet me goditjet e njëjta që ka përdorur sa ka qenë vetë në opozitë dhe të ruajë gjakftohtësinë.

“Të qeverisurit nuk behet me gjuhën e sharjeve të opozitarizmit e as me metodat e zjarrëvënieve, por me gjuhën e të qeverisurit me e për gjithë kombin (qytetarët), duke i pranuar edhe goditjet nga opozita, kur edhe ajo përdor armët që i ke përdorur duke qenë në opozitë. Për të mos ndodhur kjo, është mirë që drejtuesit e lartë të LVV-së t’i marrin punët më shtruar e më me gjakftohtësi e përgjegjësi. Qeverisja e mirë, është e mirë për çdo qytetar”, ka shkruar Krasniqi.

Ai është shprehur se Nisma nuk e ka problem qëndrimin në opozitë.

“Përndryshe, ne Socialdemokratet ekzistimin në opozitë nuk e kemi problem, qafën nuk ia afrojmë askujt. Qëndrimi vertikal, është tradita e jona! E kaluara është dëshmi”, ka shkruar Krasniqi.

(Kosova Sot Online)