Vëllezërit Demaku: Thaçi dhe Abelard Tahiri na konfirmuan se ndërkombëtarët ndërhynë në Supreme për Rastin Drenica II

  • 16 November 2019 - 15:27
Vëllezërit Demaku: Thaçi dhe Abelard Tahiri na konfirmuan se ndërkombëtarët ndërhynë në Supreme për Rastin Drenica II

Dy vëllezërit Demaku, Nexhati dhe Fadili kanë shpjeguar përmes një Letre Publike, se ndërkombëtarët kishin ndërhyrë në Gjykatën Supreme për të mos u zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese që konstatonte shkeljen e të drejtave të tyre gjatë procesit gjyqësor. Në letrën e dërguar  medias, vëllezërit Demaku kanë thënë se ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në Supreme e kanë konfirmuar në takim me Presidentin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Lexojeni të plotë Letrën Publike:

Letër e hapur Ambasadorit Philip S. Kosnet

I nderuari z. Ambasador. Ne që po ju drejtohemi me këtë letër të hapur, jemi të pafajshëm, por të dënuar dhe të burgosur gjoja për krime lufte, në një proces në shërbim të politikës e jo të drejtësisë.

Arsyeja që ju kemi shkruar është se ju vazhdimisht ngritni shqetësimi ku kërkoni të mbrohen parimet themelore të shtetit ligjor e demokratik e ku liria dhe të drejtat e qytetarëve duhet të jenë të garantuara.

Nuk kemi dyshim që ju si përfaqësues i SHBA’së, ja dëshironi të mirën vendit tonë.

Dilema jonë për ju z. Ambasador është se ju jeni shfaqur selektiv në parimet e shtetit ligjor e demokratik. Konstatimin tonë që duket i ashpër por fatkeqësisht i drejtë e shpërfaqë qartë procesi i quajtur Drenica 2.

Ky proces ka filluar në maj 2013 ku na akuzuar dhe dënuan 10 vetave me 44 vite burg në total. Të dënuarit ishim ne katër vëllezërit Demaku, katër vëllezërit Demaj dhe dy të tjerë. Krejt kjo me një dëshmi- shpifje të dhënë përmes skype nga një dëshmitar me probleme mendore, që u shërbeu si “karta” e duhur për qëllimin që kishin.

Akuza që kishte fabrikuar ndaj nesh ishte se gjoja të gjithë ne diku në periudhën gusht-shtator 1998 një natë e paskemi rrahur këtë dëshmitar. Një absurditet të tillë e ka bërë një trup gjykues i EULEX i formuar jashtëligjshëm.

Se ky proces ishte krijuar për qëllime politike e kishte pranuar edhe kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simons, në një intervistë të dhënë për “Le Monde”, edhe në publikimin e emailjave të tij zyrtar dërguar menaxhmentit të EULEX në Bruksel ku kishte paralajmëruar se Procesi Drenica 2 nuk është një proces i rregullt gjyqësor dhe se qëllimi ishte që me çdo kusht të sigurohet dënimi për të mbuluar dështimet e EULEX dhe për të vazhduar mandatin.

Gjithashtu Z, Simons kishte thënë se Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore i udhëhequr nga Dariusz Sielicski në Procesin Drenica 2 është formuar jashtëligjshëm.

Pas krejt atyre zhvillimeve ne ju kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Z. Ambasador për dijeninë tuaj më 7 qershor të vitit 2018 Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në Rastin Drenica 2 ka pasur shkelje të Nenit 31 ( E drejta për Gjykim të Drejtë e të Paanshëm) të Kushtetutës dhe Paragrafi 1 të Nenit 6 ( E Drejta për një proces të rregullt ) të konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.

Gjykata Kushtetuese kërkon nga Gjykata Supreme të zbatohet vendimi brenda 6 muajsh. Në tetor 2018 një Panel i Gjykatës Supreme në përbërje të Valdete Daka, Nysrin Lustha deh Jelena Krivokapiç refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë ekzekutimin e dënimit ndaj nesh në kundërshtim me Nenin 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ku thotë : “ Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Ne kemi shprehur shqetësimin tonë të arsyeshëm te presidenti Hashim Thaçi dhe Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese (Neni 84 pika 2 thotë:  Presidenti garanton funksionimin Kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë).

Fatkeqësisht përgjigja e tyre për ne ka qenë shokuese. Ata na kanë thënë se në Gjykatën Supreme duke përfshirë edhe kryetarin e kësaj Gjykate Z. Enver Peci, se kanë ndërhyrë ndërkombëtarët duke aluduar edhe te paraardhësi juaj z. Ambasador që të mos përfillet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 7 qershor 2018 në rastin Drenica 2.

Me datë 14 nëntor 2018 përsëri ju kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për zbatimin e vendimit të kësaj Gjykate të datës 7 qershor 2018.

I nderuari z. Ambasador e shpalosëm shkurtimisht  rrjedhën e këtij procesi për të ardhur te deklarataa juaj e dhënë me 15.11. 2019. Ju z. Ambasador keni komentuar duke qenë i lumtur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të cilin nuk jemi të informuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese përveç një informate të shkurtër në media qe nuk i jep përgjigje kërkesës sonë.

Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës të mos nxjerrë vendime kundërthënëse që do të lëkundin autoritetin e kësaj Gjykate.

Rrjedha e këtij procesi që nga fillimi e deri më sot na kujton Franc Kafka i cili në librin e tij Procesi thotë: “Në mënyrën se si zhvillohet ky gjyq, parashikohet që të dënohesh jo vetëm si i pafajshëm, por edhe si i paditur.

I nderuari z. Ambasador shpresojmë të lexoni letrën tonë dhe të vërtetoni ato që shkruan në të. E themi me bindje duke besuar në vlerat që përfaqëson SHBA se kjo do ju shërbej gjatë mandati tuaj tani e tutje të mos jeni selektues për hir të asaj që përfaqësoni në vendin tonë, se ju jeni më shumë se një ambasador këtu.

Me respekt

Fadil Demaku

Nexhat Demaku

16.11.2019

(Kosova Sot Online)