Raporti më i ri, vjen ‘shuplaka’ e rëndë për Kosovën

  • 16 November 2019 - 16:29
 Raporti më i ri, vjen ‘shuplaka’ e rëndë për Kosovën

Ka kohë që ishte dhe është evidente se nga radhët e avokatëve ka persona matrapaz që veprojnë ,në vend të normave juridike valide, nëpërmjet spekulimeve abuzive duke korruptuar prokurorë apo gjykatës e herë herë të dytë, në favorin e privilegjimeve të konsideruara të të pandehurve, të të akuzuarëve, përkatësisht të të dënuarve”, tha Smaka për “Kosova Sot Online“.

 

Raportet e ndryshme periodike të organizatave kredibile ndërkombëtare që e monitorojnë fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, vazhdimisht po alarmojnë për fenomenin e ashpër të krimit dhe korrupsionit i cili është futur edhe në këtë sistem. 

Në vend se ta lufton atë, fakte drithëruese e skandaloze të dështimit të këtij sistemi, dhe kapjes së tij nga krimi e korrupsioni, nxjerr raporti i publikuar në shtator të këtij viti nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP- Zyra në Kosovë, dhe me mbështetje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) , i cili flet me detaje për sistemin drejtësisë dhe atë të avokatisë në Kosovë.

Ky raport konstaton se sistemi gjyqësor është në mes institucioneve publike më të korruptuara në Kosovë. 

Raporti po ashtu i identifikon fushat e rrezikut të korrupsionit e që fillojnë me Procedurat e emërimit dhe licencimit të avokatëve; arsimimi i vazhdueshëm ligjor dhe aftësimi/trajnimi, mundësia për praktikë dhe profilizimi; etika dhe kornizat e integritetit; qasja në informata dhe transparenca; procedurat disiplinore dhe sanksionet e kështu me radhë. 

Po ashtu, raporti konstaton se edhe raste konkrete kur qytetarët denoncojnë krimin në sistemin e drejtësisë, katër në dhjetë qytetarë raportojnë se gjyqtarëve u ofrohet ryshfet për lëndët që i kanë në gjykata. 

Sipas të dhënave të evidentuara ty, thuhet se Kosova karakterizohet nga nivele të larta të korrupsionit dhe se korrupsioni është thellësisht i rrënjosur në sferat ekonomike, sociale dhe politike. 

Kjo analizë e sistemit të drejtësisë konstaton se sistemi gjyqësor konsiderohet mes institucioneve publike më të korruptuara në Kosovë, pasi atij i kontribuojnë avokatët, prandaj edhe profesioni i avokatit është degraduar si i tillë, sepse këtë profesion të avokatisë, ish-gjykatësit dhe ish-prokurorët e dështuar dhe të inkriminuar e konsiderojnë si “shtëpi pensionimi”. 

Raporti po ashtu thekson se nuk ka kritere në lidhje me integritetin personal apo profesional të kandidatit për avokat ose një kërkesë që ata të jenë persona me reputacion të lartë dhe/ose gjendje të mirë moral, nuk ka mekanizma që parandalojnë regjistrimin dhe marrjen e licencës nga Oda e Avokatëve personave përgjegjës për sjellje jo etike.

Duke e parë dhe vlerësuar këtë mal të të gjeturave të këtij raporti që i japin njollë të zezë sistemit të drejtësisë në Kosovë, njohësit e fushës së të drejtës theksojnë se doemos duhet të reformohet ky sistem në tërësi, ngase mjafton të shihet se sa skandaloze janë faktet që flasin se edhe gjyqtarët dhe prokurorët që u nënshtrohen procedurave disiplinore në sistemet e tyre gjegjëse, është bërë praktikë e përhapur që ata që të japin dorëheqjen para përfundimit të procedurës, për t’u bërë më vonë anëtarë të Odës së Avokatëve. 

Kjo e vërtetë, sipas njohësve të kësaj fushe sjell alarmin pastaj se si po bëhen ish-gjyqtarët dhe ish-prokuroret e inkriminuar, avokatë mbrojtës që ndjekin shqyrtimet me gjyqtarë, dhe prokurorë me të cilët kanë ndërtuar tashmë marrëdhënie të ngushta kolegjiale dhe kanë fuqinë për të ndikuar potencialisht në procedurë. 

Image
Riza Smaka

Profesori i së drejtës Riza Smaka, duke i analizuar të gjitha këto të gjetura, thotë se kaherë është e ditur dhe e konstatuar lidhja kriminale e korruptive e avokatëve me gjyqtarët pa etikë, e që janë të gatshëm të futen në lloj lloj pazaresh për ta shitur drejtësinë me para. 

“Ka kohë që ishte dhe është evidente se nga radhët e avokatëve ka persona matrapaz që veprojnë ,në vend të normave juridike valide, nëpërmjet spekulimeve abuzive duke korruptuar prokurorë apo gjykatës e herë herë të dytë, në favorin e privilegjimeve të konsideruara të të pandehurve, të të akuzuarëve, përkatësisht të të dënuarve”, tha Smaka për “Kosova Sot Online“.

Sipas tij, avokatët nuk kanë pushtet në sistemin e drejtësisë çfarë e kanë prokurorët e gjykatësit, por janë të përshtatshëm për të krijuar lidhje korruptive në sistemin e treshit nga advokati në prokurorin, e herë herë edhe në gjykatësin apo në linkun avokat-prokuror, përkatësisht avokat–gjykatës, varësisht nga stadi i procedurës prokuroriale apo gjyqësore. 

“Më pastaj qasen pasojat në mos ngritje të aktakuzës, në tërheqje të aktakuzës, në kualifikim juridik te rasteve juridike në favor të të pandehurit, përkatësisht të të akuzuarit por edhe të  të dënuarit, në zhagitje të proceseve në prokurori e gjykata, herë herë deri në parashkrime”, tha profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online” .

Vërejte për funksionimin e korruptuar të sistemi të drejtësisë në Kosovë, sipas Riza Smakës, vazhdimisht ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe Raporti i Progresit që publikohet nga Komisioni Evropian, prandaj nuk mundë të ketë përmirësim në këtë sistem pa reforma substanciale. 

“Edhe sipas Raportit të Progresit të KE -së për Kosovë, ne raste të caktuara, keq dhe qëllimisht zhduken lëndë prokuroriale apo gjyqësore. Gjithsesi edhe pse situata të tilla janë evidente në Sistemin e Drejtësisë në vendin tonë për fat të keq nuk janë dominante kuantitativisht veprimet për parandalim dhe ndëshkim, të cilat mundë të ndërmerreshin në saje të vullnetit politik të mirë e vendosshmërisë konsistente strukturat e KPP-së dhe të KGJK-se, sepse rastet e tilla e të ngjashme mund të luftohen dhe parandalohen me efikasitet”, përfundoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)