Drejtori i AKI-së, pjesë pazareve për koalicionin e ri qeverisës

  • 17 November 2019 - 07:32
Drejtori i AKI-së, pjesë pazareve për koalicionin e ri qeverisës

“Megjithëse, Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të AKI-së më 6 nëntor, dhe brenda 20 ditësh duhet të emërohet drejtori i ri, duke qenë se ky institucion është syri dhe veshi i shtetit, interesi i politikës për ta mbajtur peng për interesat e veta është tepër i madh, ndaj stërzgjatja e procesit zgjedhor me numërim e rinumërim të votave, shtyrja e formimit të qeverisë së re, si dhe paqartësia se kush duhet të vendosë për caktimin e emrit të ri, ka bërë që ende të mos mund të emërohet askush për Shef të AKI-së”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Pas aktit të dorëheqjes së drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhunit dhe mbetjes së këtij institucioni të sigurisë kombëtare pa drejtuesin kryesor, në kohën kur shteti është në situatë të funksionimit të brishtë institucional, me qeveri në detyrë pa mandat që të merr vendime të rëndësisë kapitale, analistët politikë e shohin rrezikun serioz që këtë fazë kalimtare ta shfrytëzojnë në mënyrë që edhe zgjedhjen e drejtorit të AKI-së, ta bëjnë edhe pjesë të pazareve politike.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm dhe jo nga ana e kryeministrit në detyrë në marrëveshje me Hashim Thaçin.

Mustafa ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje kalimtare, që do të siguronte që personi që do të vie në vend të Shpend Maxhunit të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm.

Analisti politik, Gani Qarri, nuk e sheh aspak të rastësishëm skenarin e përgatitur për dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, pikërisht në kohën kur Kosova është pa institucione stabile, dhe tani del problem serioz edhe zgjedhja drejtorit të ri të AKI-së.

Image
Gani Qarri

Sipas Qarrit, synimi i politikës së inkriminuar për ta vazhduar kapjen e këtij institucioni nga më të rëndësishmit në shtet, ka bërë që të krijohet situata konfuze me telekomandimin e dorëheqjes së Shpend Maxhunit.

“Fakti se shërbimi inteligjent është një nga organet më jetike dhe më me rëndësi të një shteti, ka bërë që Agjencia Kosovare e Inteligjencës të mbetet peng i procesit të stërzgjatur zgjedhor i cili nuk po di të përfundojë në Kosovë. Ndaj jo vetëm që ende nuk ka asnjë vendim apo emër të caktuar për emërimin në krye të saj, por çështja e zgjedhjes apo shtyrjes për më vonë të shefit të ri të AKI-së, mund të bëhet edhe pjesë e pazareve më serioze partiake dhe politike në vend", tha Qarri për “Kosova Sot Online”

Sipas Qarrit, tani po shihet qartë se është synim i dy partive fituese të zgjedhjeve, që ta shfrytëzojnë të drejtën ligjore për zgjedhjen e drejtorit të ri të AKI-së nga kryeministri i ri që do të zgjidhet në mandatin vijues, dhe kurrsesi zgjedhja dhe emërimi të bëhet një marrëveshje eventuale e fshehtë në mes të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt dhe presidentit, Hashim Thaçi. 

“Me të drejtë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka propozuar një zgjidhje kalimtare në mënyrë që Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm dhe jo më nga ana e kryeministrit të dorëhequr në marrëveshje me kuislingun Hashim Thaçi”, tha analisti Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Qarri nuk pret që drejtori i ri i AKI-së të zgjidhet pa u bërë qeveria e re, e kjo periudhë kohore mundë të shkojë deri në fund të vitit.

“Megjithëse, Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të AKI-së më 6 nëntor, dhe brenda 20 ditësh duhet të emërohet drejtori i ri, duke qenë se ky institucion është syri dhe veshi i shtetit, interesi i politikës për ta mbajtur peng për interesat e veta është tepër i madh, ndaj stërzgjatja e procesit zgjedhor me numërim e rinumërim të votave, shtyrja e formimit të qeverisë së re, si dhe paqartësia se kush duhet të vendosë për caktimin e emrit të ri, ka bërë që ende të mos mund të emërohet askush për Shef të AKI-s”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)