Rajapaksa fiton zgjedhjet presidenciale në Sri-Lankë

  • 17 November 2019 - 08:20
Rajapaksa fiton zgjedhjet presidenciale në Sri-Lankë

Ish-ministri i mbrojtjes në kohë të luftës, Gotabaya Rajapaksa, do të jetë presidenti i ri i Sri-Lankës, pasi kundërshtari i tij kryesor e pranoi humbjen në një garë me rezultat të ngushtë.

Kandidati tjetër për president nga radhët e partisë në pushtet, Sajith Premadasa, e pranoi humbjen në zgjedhje dhe ia uroi fitoren rivalit të vet.

“Është privilegj i imi ta nderoj vendimin e popullit dhe ta uroj Gotabaya Rajapaksa-n për zgjedhjen si president i shtatë i Sri-Lankës”, tha Premadasa përmes një deklarate.

Pas numërimit të gjysmës së votave, komisioni i zgjedhjeve tha se Rajapaksa është duke prirë me 50.7 për qind të votave, ndërsa Premadasa i kishte 43.8 për qind. Partia e Rajapaksa-s e shpalli fitoren përmes një deklarate dhe i falënderoi votuesit për zgjedhje paqësore. 

Këto zgjedhje u mbajtën shtatë muaj pas sulmit të tmerrshëm masiv në disa kisha dhe hotele, ku mbetën të vrarë më shumë se 250 njerëz.

Presidenti i ri vjen nga njëra prej familjeve më të fuqishme politike. Ai më parë ka shërbyer si ministër i mbrojtjes, ndërsa vëllai i tij, Mahinda Rajapaksa, ishte gjithashtu president i vendit për një dekadë.

Në këto zgjedhje të drejtën për votim e shfrytëzuan rreth 80 për qind të qytetarëve, që paraqet një prej shifrave më të mëdha në historinë moderne të Sri-Lankës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)