Samoa shpall gjendje emergjente për shkak të përhapjes së fruthit

  • 17 November 2019 - 09:15
Samoa shpall gjendje emergjente për shkak të përhapjes së fruthit

Samoa, një shtet i vogël në Oqeanin Paqësor, i ka mbyllur të gjitha shkollat dhe i ka ndaluar të gjitha tubimet publike pasi e shpalli gjendjen emergjente shkaku i përhapjes së madhe të fruthit.

Shteti me vetëm 200 mijë banorë, i ndodhur në ujërat e Oqeanit Paqësor, mes Havait dhe Zelandës së Re, e shpalli të shtunën gjendjen emergjente pasi njoftoi në tetor se rastet e fruthit janë shndërruar në epidemi dhe pasi disa njerëz vdiqën nga ky virus i rrezikshëm.

Së paku gjashtë fëmijë nën moshën dyvjeçare raportohet të kenë vdekur nga fruthi, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi ishullor, e cila u publikua javën e kaluar. Nga 716 personat e dyshuar për infektim me fruth, kjo ministri tha se 40 për qind e tyre kanë nevojë të shtrihen në spital. 

Duke filluar nga kjo fundjavë, qytetarët e Samoas janë të obliguar ta marrin vaksinën kundër fruthit, nëse nuk e kanë marrë ende atë. Sipas të dhënave të qeverisë, vetëm dy të tretat e popullsisë e kanë marrë vaksinën e imunizimit.

Drejtori i përgjithshëm i sektorit të shëndetësisë, Leausa Take Naseri, tha se autoritetet janë duke e pritur më të keqen për shkak të numrit të madh të njerëzve që nuk janë vaksinuar dhe se fëmijët që kanë vdekur nga fruthi nuk e kishin marrë vaksinën e imunitetit.

Ministri i jashtëm i Zelandës së Re, Wisnton Peters, tha të premten se vendi i tij do t’i dërgojë në Samoa 12 infermiere dhe tre mijë vaksina për t’i parandaluar rastet e reja të fruthit, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)