Kërkohet Vetting-u i menjëhershëm në Kosovë

  • 18 November 2019 - 07:25
Kërkohet Vetting-u i menjëhershëm në Kosovë

“Nëse qeverisja e dalë pas 6 TETORIT 2019, nuk merret me dekriminalizimin e drejtësisë dhe të politikës ajo detyrimisht që do të dështojë, dhe Kosovës do t’i duhen patjetër zgjedhje të parakohshme. Nuk mashtrohet më publiku kosovar me parulla, slogane e premtime në emër të patriotizmave false. Nuk duron më populli mashtrime e premtime gënjeshtrash për të mbuluar korrupsionin dhe tradhtitë publike e kombëtare”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni, vazhdojnë të mbeten “sëmundje” e pashërueshme e cila nuk po e lë të zhvillohet, por po e shkatërron shtetin e ri të Kosovës.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online”, njohësi i fushës së të drejtësisë Skënder Kapiti, i cili kërkon që për ta vendosur rendin dhe ligjin, institucionet e reja pas zgjedhore në Republikën e Kosovës, duhet ta trajtojnë me prioritet dhe pa vonesë miratimin e ligjit Vetting.

Duke e miratuar një ligj të tillë, sipas Kapitit do të fillohej menjëherë një proces hetimor në shkallë të gjerë në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës.

Image
Skender Kapiti

“Pasi që foletë e krimit dhe korrupsionit janë pikërisht në këto institucione të instrumentalizuara nga krimi i organizuar, kështu që ndodhur VETTING-u në drejtësi, por edhe në politikë, nuk ka shans që në Kosovë të ketë sundim të ligjit , që do t`ia këpuste kokën krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha institucionet e shtetit, por sidomos në sistemin e drejtësisë në Kosovën e nëpërkëmbur dhe të kapur nga krimi!”.

“Fakti që nuk ka llogaridhënie nga institucionet e Kosovës, as ato të qeverisjes dhe as ato të drejtësisë , ky fakt është argument i asaj se zyrtaret e lartë shtetëror, qeveritarët, gjyqtarët e prokurorët i trajtojnë shtetin, pushtetin dhe ligjin si dhe institucionet e tyre si pasuri e prona private me të cilat bëjnë, veprojnë e sillën si të duan, pasi nuk e kanë frikë as drejtësinë dhe as ligjin. Të mos japësh llogari për shkeljet e rënda ligjore, të bësh krimin e korrupsionit dhe atë gjyqësor kur e ke për detyrë që të zbatosh ligjin, dhe e ke për detyrë të japësh drejtësinë dhe t'i shërbesh shtetit dhe qytetarit; e nga ana tjetër edhe e shfrytëzon postin shtetëror, si privilegj dhe si të drejtë për t'u pasuruar në mënyrë kundërligjore ky është dhe përbënë krim shtetëror, krim në emër të shtetit dhe të Republikës. Ku e gjejnë guximin këta aparatcikë e mafiozë që të dalin mbi ligjin dhe mbi drejtësinë”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, guximi i tyre për ta kapur shtetin kështu, buron nga fakti se paraprakisht krejt sistemin, drejtësinë, politikën, pushtetin, paranë publike dhe ekonominë i kanë privatizuar, prandaj kërkohet ligji Vetting.

“Nga kjo gjendje nuk dilet pa u reformuar sistemi, i gjithë sistemi, pa u reformuar sidomos sistemi gjyqësor, pa një VETTING të thellë e radikal të të përmasave të tilla sa që duhet shkrirë i gjithë sistemi, që kupton dëbimin dhe pastrimin e tij nga të gjithë gjyqtarët e prokurorët aktual. Pa një VETTING të bërë, të kontrolluar e të monitoruar nga SHBA nuk reformohet as drejtësia dhe as shteti e për rrjedhojë as nuk do të funksionojnë ato”, shtoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij shpresa e vetme për ta pastruar tërësisht politikën, drejtësinë dhe të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës nga rrjeti I krimit të organizuar, mbetet ligji Vetting, të cilin e kanë premtuar se do e bëjnë në fillim të mandatit qeverisës dy subjektet politike opozitare të mandatit të kaluar, LVV dhe LDK.

“Nëse qeverisja e dalë pas 6 TETORIT 2019, nuk merret me dekriminalizimin e drejtësisë dhe të politikës ajo detyrimisht që do të dështojë, dhe Kosovës do t’i duhen patjetër zgjedhje të parakohshme. Nuk mashtrohet më publiku Kosovar me parulla, slogane e premtime në emër të patriotizmave false. Nuk duron më populli mashtrime e premtime gënjeshtrash për të mbuluar korrupsionin dhe tradhtitë publike e kombëtare. Prandaj reforma në drejtësi, në politikë, në qeverisje dhe kudo në institucione dhe në administratën publike dhe në pushtetin vendor duhet realizuar pasi kjo Reformë është jetike, si krye reforma e cila do ta reformojë e konsolidojë shtetin e Kosovës, shoqërinë dhe demokracinë dhe do të përshpejtojë liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në BE,” përfundoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)