Kryeredaktori i gazetës “N.Y. Times”: Trump-i e ka vënë në rrezik jetën e gazetarëve të mi

  • 18 November 2019 - 08:38
Kryeredaktori i gazetës “N.Y. Times”: Trump-i e ka vënë në rrezik jetën e gazetarëve të mi

Kryeredaktori i gazetës së njohur amerikane “The New York Times”, Dean Baquet, e ka akuzuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se e ka vënë në rrezik jetën e gazetarëve të tij përmes etiketimit të tyre si armiq të popullit.

Baquet, i cili e ka udhëhequr gazetën gjatë kohëve më të vështira të historisë së saj, tha se historia e sulmeve verbale të presidentit amerikan ndaj gazetarëve, siç ishte sulmi ndaj reporteres së gazetës “The New York Times”, Maggie Haberman, është shokues dhe paraqet rrezik për pasoja serioze.

“Mendoj se sulmet e tij personale ndaj gazetarëve, përfshirë Maggie-n, janë goxha neveritëse dhe goxha jopresidenciale. Mendoj se sulmet personale ndaj gazetarëve, kur ai përmend emra, e vënë në rrezik jetën e tyre”, tha kryeredaktori i gazetës së njohur në mbarë botën.

“Mendoj se kur ai i përmend gazetarët me emra dhe thotë se ata janë jo-amerikanë, kur thotë se ata janë armiq të popullit… kjo frazë e ka një histori të thellë. Mendoj se kur ai i thotë këto, ky është një sulm i tmerrshëm ndaj shtypit”, shtoi ai.

Komentet e Baquet-it gjatë intervistës për gazetën britanike “The Guardian” e pasqyrojnë historinë e gjatë të abuzimeve të presidentit amerikan ndaj gazetarëve në përgjithësi dhe ndaj gazetës “The New York Times” në veçanti.

Ato përputhen me komentet e mëparshme të botuesit të kësaj gazete, Sulzberger, i cili gjithashtu është përplasur me presidentin për trajtimin që kreu i Shtëpisë së Bardhë ua bën gazetarëve.

Megjithatë, ai refuzoi ta quante Trump-in racist ose seksist, ndonëse për këtë refuzim më parë është kritikuar nga majtistët, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)