Boris Johnson do të hetohet edhe për një aferë tjetër me një grua

  • 18 nëntor 2019 - 11:02
Boris Johnson do të hetohet edhe për një aferë tjetër me një grua

Gjatë hetimeve për raportet e kryeministrit britanik, Boris Johnson, me biznesmenen amerikane, Jennifer Arcuri, hetuesit do të merren edhe me një aferë tjetër të shefit të qeverisë, të cilën e kishte pasur gjatë kohës kur shërbente si kryetar i Londrës.

Johnson nuk i kishte njoftuar autoritetet lidhur me raportet që kishte me këshilltaren e organeve lokale, Helen Macintyre, për të cilën më vonë u zbulua se kishte pasur aferë jashtëmartesore me kryetarin e atëhershëm të Londrës. Ajo madje e kishte lindur një fëmijë nga kjo aferë.

Ky rast do të hetohet nga një komision në Londër për shkak të dyshimeve për konflikt interesi dhe do të jetë pjesë e hetimeve për raportin mes kryeministrit britanik dhe biznesmenes amerikane.

Biznesmenja Arcuri kishte thënë në një emision televiziv se kryeministri Johnson nuk kishte dashur ta bënte publike miqësinë mes tyre. “Ai gjithmonë brengosej dhe thoshte se njerëzit do të pyesin për interesin e tij”, kishte thënë ajo.

Arcuri i kishte përfituar 11500 funte nga një agjenci londineze dhe kishte fituar qasje në misionet tregtare të autoriteteve lokale të kryeqytetit britanik në Tel Aviv të Izraelit dhe New York të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë tjetër, ajo ka lënë të kuptohet se ka pasur marrëdhënie romantike me kryeministrin, duke thënë se politikani britanik e ka lënë me zemër të thyer pasi nuk i përgjigjej në telefon, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)