Ndryshon ‘matematika’ e formimit të koalicionit

  • 18 nëntor 2019 - 18:30
Ndryshon ‘matematika’ e formimit të koalicionit

Partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje mund të vihet para opsionit të ndryshimit të formulës dhe matematikës së numrave në lidhje me koalicionin e ri qeverisës.

Një nevojë e tillë, besohet se mund të diktohet nga fakti se pas anulimit të mijëra votave të cilësuara si të pavlefshme, tani koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë mund të sigurojë gjashtë ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Ky ndryshim e bën Vetëvendosjen dhe partinë e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës me katër deputetë më pak në përbërjen e re të Kuvendit. Nisur nga ky fakt, Vetëvendosje po përpiqet që në kuadër të krijimit të shumicës parlamentare, krahas koalicionit të mundshëm me Lidhjen Demokratike, të përfshije aty qoftë brenda Grupit të saj Parlamentar apo brenda koalicionit të ri, edhe deputetë nga radhët e komuniteteve joserbe.

Sipas rezultatit të ri zgjedhor që po krijohet nga rinumërimi i votave, edhe pse ende jo final, analistët politikë tani parashikojnë që Qeverinë e re të Kosovës do të mund ta formojnë Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit me subjektin politik Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe 10 deputetët e komuniteteve joserbe.

Këto subjekte politike, thonë analistët, arrijnë të kenë numrin e nevojshëm të deputetëve për krijimin e qeverisë së re edhe nëse koalicionin Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosovare e Re dhe Partinë e Drejtësisë nuk përfshihet në formulën e ardhshme qeverisëse.

Dy parti tjera që pritet të mbesin në opozitë janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq Lista Serbe, e cila sipas rezultatit aktual ka fituar 10 mandate nga ulëset e garantuara për komunitetin serb, mbetet e paqartë nëse do të jetë në qeveria apo në opozitë.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë se janë potenciali për u arritur deri të qeveria e ardhshme është përmes forcave politike Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës si forca e dytë politike.

“Me rastin e ankesave që janë bërë në PZAP dhe rinumërimit të disa vendvotimeve dhe eliminimin e votave të ardhura nga Serbia, ku potencialisht Nisma kalon pragun dhe hynë në Kuvend, prapë potenciali mbetet te krijimi i qeverisë VV dhe LDK, pasi që VV mund t’i ketë 29 deputetë, LDK mund t’i ketë 28 dhe bashkimi këtyre dy forcave arrin në numrin e deputetëve diku 55, ku përfshirë edhe numrin e 10 deputetëve të komuniteteve joserbe që i kanë 10 deputetë, krijohet një shumicë prej 65 deputetëve që pa problem mund të krijohet qeveria”, thotë Demhasaj.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në kuvend. Për t’i siguruar votat e nevojshme për qeverinë e re, subjekti fitues i zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, përveç Lidhjes Demokratike besohet se mund të llogarisë që koalicionin paszgjedhor ta ndërtojë edhe me komunitetet joshumicë.

Përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë, thonë se mund të përfshihen në koalicionin e ardhshëm, por disa prej tyre kërkojnë që si pjesë të marrëveshjes atyre t’u sigurohet një post ministror në qeverinë e re. Pamundësia e formimit të qeverisë vetëm nga Vetëvendosje dhe LDK, të cilat synonin një qeveri me 12 ministri, tani e kthen në lojë sërish edhe opsionin e një qeverie me më shumë ministri, pasi që numri më i madh i partive në koalicion, besohet se e dikton edhe numrin e ministrive.

Rasim Demiri, deputeti i zgjedhur nga koalicioni Vakat dhe ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, thotë se këtij koalicioni i takon pozita e ministrit, meqenëse siç thotë ai, është një subjekt i cili ka marrë më së shumti vota në krahasim me partitë tjera joserbe.

Në një prononcim  ai tha se deri më tani kanë zhvilluar disa takime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.


“Tani për tani nuk ka asgjë konkrete. Megjithëse nuk do të heqim dorë nga pozita e ministrit, meqenëse Vakat ka marrë më së shumti vota. Deri tash ka ekzistuar një rregull e pashkruar që partisë që fiton me së shumti vota nga komunitetet joserbe i është dhënë posti i ministrit. Shpresoj që edhe kësaj radhe kryeministri i ardhshëm të marrë në konsideratë këto vota dhe sigurisht presim një pozitë të ministrit”, tha Demiri, raporton rel.

Ky koalicione ka fituar dy mandate, por deputetja tjetër e zgjedhur Duda Bale pas zgjedhjeve ka vendosur të tërhiqet nga ky koalicion dhe ka paralajmëruar që do të vepron brenda grupit parlamentar 6 plus.

Në anën tjetër, edhe partia turke në Kosovë KDTP e cila ka dy deputetë, synon postin e ministrit. Kryetari i sapozgjedhur i kësaj partie, Fikrim Damka, tha që do të kërkojë prapë një post ministror, por shtoi se për ta është e rëndësishme që të kenë më shumë përfaqësues në institucione.

“Pra, ne nuk do të kushtëzojmë krijimin e qeverise me pozitën e ministrit”, tha ai.

Për një pozitë të ministrit në qeverinë e re këto dite ka folur edhe Emilia Rexhepi nga Partia e re Demokratike nga radhët e boshnjakëve, duke thënë që posti ministror duhet t’i përket komunitetit boshnjak.

Ambicie për ministër ka edhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane. Ai te hënën deklaroi që megjithatë duhen të pritet që të certifikohet rezultati zgjedhor.

Arlind Manxhuku nga Lëvizja Vetëvendosje i ka thënë se janë të fokusuar që të ndërtojnë koalicioni qeverisës me LDK-në, por që ekziston mundësia për bashkëpunim edhe me pakicat joserbe. Sipas tij, Vetëvendosje është që të mos ketë koalicion me partitë në koalicionin Nisma-AKR dhe PD.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, e cila në bazë të atij rezultati kishte siguruar 32 ulëse në Kuvend, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29, Partia Demokratike e Kosovës me 25, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate me 14, Lista Serbe me 10 dhe partitë e komuniteteve joserbe me 10 ulëse. Por, me rezultatin e ri zgjedhor, pas anulimit të votave të konsideruara si të pavlefshme, tani Vetëvendosje thuhet se ka 3 deputetë më pak, përkatësisht 29, LDK 28, PDK 24 kurse AAK 13 deputetë. Ndërkaq koalicioni Nisma, AKR dhe PD do të ketë 6 deputetë.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, beson se deri në fillim të vitit të ardhshëm Kosova do të ketë konstituimin e institucioneve të reja.

“Deri në fund të këtij muaji mund të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve dhe me gjasë deri në javën e parë të dhjetorit mund të kemi certifikimin e zgjedhjeve nga KQZ-së, nëse ndodh kjo atëherë nga mesi i dhjetorit mund të konstituohet kuvendi me organet e saj dhe pastaj fillojnë procedurat zyrtare nga ana e presidentit për të dhënë nominimin zyrtar për qeveri dhe me gjasë me fillim të janarit – mesi i janarit mund të kem qeverinë e re”, thotë Demhasaj.

Në të kaluarën pas zgjedhjeve, konstituimi i institucioneve të reja në Kosovë zakonisht ka hasur në vështirësi. Pas zgjedhjeve të vitit 2017 krijimi i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës kishte qenë një sfidë e vërtetë për koalicionin fitues të zgjedhjeve të atëhershme të 11 qershorit, i quajtur koalicioni PAN, i cili më vete kishte përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Koalicioni ishte arritur të krijohej pas tre muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.

Një kohë më të gjatë të krijimit të institucioneve të reja kishte ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Në atë kohë, koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte arritur të bëhet pas gjashtë muajve nga mbajtja e zgjedhjeve.


(Kosova Sot Online)