Zyrtarët rusë vodhën 172 milionë dollarë në qendrën hapësinore

  • 19 November 2019 - 09:29
Zyrtarët rusë vodhën 172 milionë dollarë në qendrën hapësinore

Qendra e re hapësinore e Rusisë, Vostochny, i ka humbur të paktën 11 miliardë rubla ose 172 milionë dollarë nga vjedhjet që i kanë bërë zyrtarët e lartë rusë, të cilët janë dënuar me burgim për këtë vepër.

Komisioni Federal i Hetimeve thotë se është duke i trajtuar 12 raste të reja kriminale që lidhen me këtë projekt të madh hapësinor, i cili nga presidenti Putin është vlerësuar si prioritet strategjik për shkak të potencialit të madh tregtar që e ka.

Dënimi më i madh deri tash në lidhje me këtë rast ishte dënimi me 11 vjet e gjysmë burgim ndaj ish-shefit të një konsorciumi shtetëror, Yuri Khrizman.

Profesori Mark Galeotti, ekspert i çështjeve ruse në Institutin e Bashkuar Mbretëror të Shërbimeve, tha për BBC-në se skandali “Vostochny” e ka vënë në pah shkallën e korrupsionit në burokracinë e madhe shtetërore të Putinit.

“Si mund të merreni me të pa i shpallur luftë elitës suaj? Ai nuk është i përgatitur për këtë. Kjo varësi në projekte të mëdha pothuajse gjithmonë krijon mundësi të mëdha për vjedhje”, tha Galeotti.

Misionet në hapësirë janë çështje krenarie për Rusinë. Ish-Bashkimi Sovjetik kishte arritur që të bëhej shteti i parë që dërgon njerëz në hapësirë. Këtë gjë e kishte bërë Yuri Gagarin në vitin 1961, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)