Hajnat vjedhin stoli në vlerë të një milion funteve në Londër

  • 19 November 2019 - 12:30
Hajnat vjedhin stoli në vlerë të një milion funteve në Londër

Disa stoli që vlejnë më shumë se një milion funte janë vjedhur në një shtëpi luksoze në pjesën veriore të Londrës.

Disa persona të dyshuar arritën të hyjnë në një pronë në Haringey rreth orës pesë, në kohën kur një grua në të tridhjetat dhe fëmijët e saj ndodheshin brenda, njoftoi policia.

Hajnat arritën të iknin përmes një dritareje në katin e parë dhe me vete morën gjëra me vlerë, përfshirë bizhuteri të shtrenjtë dhe të rrallë, rroba dhe një sasi të madhe të të hollave. 

Sipas të dhënave të një faqeje për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, prona ku ndodhi vjedhja e rëndë vlen mbi 6 milionë e 200 mijë funte.

Policia bëri thirrje që qytetarët të bashkëpunojnë me të në rast se kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e mundshme të hajnave.

Në deklaratën e policisë thuhet se ky rast ishte më i rëndë për shkak të faktit se viktima dhe fëmijët e saj ndodheshin në shtëpi në kohën e vjedhjes.

Policia kërkoi që argjendarët dhe koleksionuesit privatë të stolive me vlerë të bashkëpunojnë me autoritetet, nëse dikush ofron për shitje stoli të dyshimta, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)