Ndizet alarmi: Kosovës i duhet reforma e thellë zgjedhore, ja arsyet!

  • 19 November 2019 - 13:09
Ndizet alarmi: Kosovës i duhet reforma e thellë zgjedhore, ja arsyet!

“Të fortit e partive i tubojnë komisionarët, ju japin mjete ose ju premtojnë favore e ata veprojnë. Për atë po vërehen gjithë këto parregullsi. Brenda listës po ndodhin tërmete të fuqishme. Prandaj nuk mjafton vetëm ndryshimi i legjislacionit por duhet të kemi edhe forcim të ligjit, duke i sanksionuar keqbërësit”, tha Preteni.

Njohësi i mirë i fushës së të drejtës, Hasan Preteni, njëherit edhe ish kryesues i Agjencionit Kundër- Korrupsion në dy mandate, konsideron se krimi dhe korrupsioni në Kosovë nuk është i shtrirë vetëm në jetën institucionale, por fatkeqësisht ka zënë vend edhe në sistemin zgjedhor, duke shfrytëzuar legjislacionin e dobët të zgjedhjeve i cili nuk është ndryshuar dhe nuk është reformuar që nga zgjedhjet për legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës së pas luftës.

Image
Hasan Preteni

Prandaj tani me të drejtë, sipas Pretenit është ngritur shqetësimi, mbase shumë i vonuar edhe nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e cila ka thënë se është e nevojshme që sa më shpejtë të bëhet reforma zgjedhore.

Sipas Pretenit, nevoja e ndërhyrjes në sistem zgjedhor është tepër e domosdoshme, sepse mundësia e abuzimit me ligjin aktual, është bërë e pakufishme dhe pothuajse krejtësisht e lirë, legale dhe pa ndëshkueshme.

“Stalini e ka thënë me një raste:"leni qytetarët të votojnë se numërimin e bëjë unë"! Kjo maksimë vlen edhe në Kosovë tash për tash. Votojeni këndë të doni se numërimin e bëjnë komisionarët, e bëjnë militantët më të fuqishëm të partive. Tani nuk ka vjedhje në mes të partive por vjedhje masovike të komisionarëve brenda llojit të listës zgjedhore. Komisionarët janë vendimmarrës se kush do të ketë më shumë vota. Numërimin e bëjnë ata, këtë numërim e bëjnë duke i mbledhur votat për ata që i caktojnë të fuqishmit e partisë. Si të kuptohet ndryshe veç se kështu kur ka shumë deputet-fitues të cilët nuk e kanë pasur asnjë aktivitet parazgjedhore, kur s’kanë marr pjesë në fushatë, nuk kanë pasur takime me popullatë, nuk kanë qenë as nëpër media gjatë fushatës dhe fitojnë nga 10.000 vota”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Pretenit, me këtë sistem zgjedhor, votat sigurohen me grupe të kriminalizuara klienteliste dhe nën ndikimin e të fortëve të politikës, por jo edhe të vullnetit të qytetarit.

“Prandaj nuk duhet vazhduar kështu tutje, duhet ashpërsuar sanksionet për abuzim me votën, dhe duhet reformuar sistemi, duke u ndarë në zona zgjedhore, që secili deputet ti përgjigjet votuesit të zonës dhe jo të mbetet servil i liderit politik. Të fortit e partive i tubojnë komisionarët, ju japin mjete ose ju premtojnë favore e ata veprojnë. Për atë po vërehen gjithë këto parregullsi. Brenda listës po ndodhin tërmete të fuqishme. Prandaj nuk mjafton vetëm ndryshimi i legjislacionit por duhet të kemi edhe forcim të ligjit, duke i sanksionuar keqbërësit. Ne vendvotime duhet vetëm të ndahen listat e partive dhe të numërohen vetëm ato, se cilat parti sa vota i morën kurse për kandidatët të numërohen votat nga komisionarët në Qendrën e Numërimit, larg vendvotimeve. Gjithashtu Kosova nuk duhet të ketë vetëm një zonë zgjedhore. Duhet të ketë ndarje në zona regjionale, votues të regjioneve. Duhet të ketë përgjegjësi për regjionin-komunën në të cilën e fiton votën dhe atë që e prezanton. Kandidati nga Skenderaj nuk mund të merre vota në Prizren”, tha për “Kosova Sot Online”, njohësi i fushës së të drejtës, Hasan Preteni.

(Kosova Sot Online)