Mbi 2 mijë tifozë anglezë vizituan Kosovën gjatë vikendit

  • 19 November 2019 - 16:40
Mbi 2 mijë tifozë anglezë vizituan Kosovën gjatë vikendit

Për një javë rresht hotelet e kryeqytetit ishin të mbushura plot mysafirë. Shumica e tyre nga Anglia. Mbi 2 mijë tifozë nga ky shtet fluturuan drejt Kosovës për ndeshjen përmbyllëse për të dy ekipet kombëtare në fushatën kualifikuese për Euro 2020. Ata mbetën të habitur nga mikpritja që iu ofrua në vend dhe çmimet e lira. Për mikpritjen e kosovarëve kanë shkruar në vazhdimësi mediat britanike, derisa falënderime ka shprehur edhe Federata e Futbollit e Anglisë.

Ndeshja mes Kombëtares së Kosovës dhe Anglisë në “Fadil Vokrri” të dielën, solli në vend një numër të madh të tifozëve anglezë.

Pavarësisht se bileta për një ulëse në stadium kishin siguruar vetëm 600 prej tyre, rrugën drejt Kosovës e morën mbi 2 mijë tifozë anglezë. Ata mbetën të habitur nga mikpritja që iu ofrua në vend dhe çmimet e lira.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara i ka thënë mediave se numri i udhëtarëve që kanë fluturuar nga Londra drejt Prishtinës gjatë javës së kaluar shkon në mbi 600.

Shumica e tyre kishin arritur në vend të premten, derisa kishte edhe të tillë që fluturimin e kishin lënë për në momentin e fundit.

Mbi 100 tifozë anglezë erdhën në Kosovë, pak orë para se të fillonte ndeshja.

“Edhe të dielën një aeroplan ka arritur vetëm me tifoz 140 udhëtarë”, ka thënë Gara.

Ndërkohë, sipas zyrtarëve të Policisë në Aeroport, nga e premtja deri të dielën, vendin e kanë vizituar mbi 2 mijë tifozë.

“Nga e premtja kanë ardhur mbi 2 mijë tifozë anglezë. Dita me më së shumti udhëtarë ka qenë e shtuna në ardhje, dhe e hëna në shkuarje”, kanë deklaruar zyrtarë të Policisë.

Ndryshe, mediat, tifozët dhe lojtarët anglezë mbeten të habitur nga mikpritja e mrekullueshme që iu ofrua në vendin të cilit para rreth dy dekadave i ndihmuan të çlirohet nga okupimi.

Kosova u mor si shembull se si duhet trajtuar një ekipi vizitor në futboll, për dallim nga vendet e tjera, përfshirë ai fqinj Mali i Zi, ku futbolli u prish nga racizmi, subjekt i të cilit ishin lojtarët anglezë, përfshirë Raheem Sterling.

Mediat britanike ndërkohë, që njihen prej më të fortave në botë, e kanë përmendur vazhdimisht mikpritjen që po iu bëhet anglezëve, por edhe çmimet e lira të produkteve.

Edhe ambasadori Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, falenderoi popullin e Kosovës për mikpritjen e ngrohtë që ua ka bërë lojtarëve dhe tifozëve anglezë gjatë vizitës në Prishtinë.

Abbott ka publikuar në profilin e tij në Facebook një video përmes së cilës thotë se mikpritja që populli i Kosovës i ofroi ekipit dhe përkrahësve anglez ishte absolutisht e mahnitshme.

“Mikpritjen që populli i Kosovës i ofroi ekipit dhe përkrahësve Anglezë ishte absolutisht e mahnitshme. Do të dëshiroja të falenderoj nga thellësia e zemrës sime popullin e Kosovës për mikpritjen që i kanë ofruar ekipit dhe përkrahësve Anglez këtë vikend”, ka thënë Abbott.

Edhe Kombëtarja e Anglisë e ka falënderuar Kosovën për mikpritjen pas mbërritjes në ishull, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Çfarë mikpritje! Faleminderit Kosovë”, thuhet në llogarinë e ekipit kombëtar anglez në Tëitter.

Ndryshe, verdhekaltrit të udhëhequr nga trajneri zviceran, Bernard Challandes, ishin vazhdimisht në garë për t’u kualifikuar deri në përballjen e parafundit më Republikën e Çekisë, por humbja 2:1 në Plzen ua shoi përfundimisht ëndrrën për kualifikim në Kampionatin Evropian përmes rrugës tradicionale për herë të parë në historinë e re të ekipit kombëtar.

Kosova e mbylli Grupin A në pozitën e 3-të, me 3 fitore, 2 barazim dhe 3 humbje në 8 ndeshje. Ndërsa Anglia si fituese e grupit dhe Çekia si e dyta u kualifikuan direkt në Euro 2020.

Dështimi në kualifikime nuk nënkupton se ëndrra për pjesëmarrje në Euro 2020 ka marrë fund përfundimisht, sepse Kosova ka edhe një mundësi të dytë. Ajo do t’i zhvillojë dy ndeshje në maksimum në muajin mars për ta arritur synimin. 

Si fituese e Grupit 3 në Ligën D të garës inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve, Kombëtarja dardane e siguroi një vend në play-off bashkë me Maqedoninë Veriore, Bjellorusinë dhe Gjeorgjinë, si fituese të grupeve të tjera në ligën më të ulët në këtë garë. 

Kosova do të përballet me Maqedoninë Veriore në gjysmëfinalen me një ndeshje, e cila zhvillohet më 26/03/2020 në shtetin fqinj.

Gjysmëfinalja e dytë mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë do të zhvillohet në të njëjtën ditë.

Kombëtaret me koeficient më të lartë gëzojnë të drejtën për të qenë vendase në ndeshjet gjysmëfinale. Në këtë rast, Maqedonia Veriore dhe Bjellorusia.

Finalja mes fitueseve të gjysmëfinaleve do të luhet më 31/03/2020. Vendi ku do të zhvillohet ajo do të përcaktohet paraprakisht, më short më 22 nëntor 2019.

Euro 2020 nis më 12 qershor dhe përfundon më 12 korrik.

(Kosova Sot Online)