Mbi 13 mijë ndërtime pa leje në Pejë, Prokuroria fillon hetimet

  • 19 November 2019 - 20:34
Mbi 13 mijë ndërtime pa leje në Pejë, Prokuroria fillon hetimet

Prokuroria në Pejë ka nisur grumbullimin e informatave rreth dhënies së një leje ndërtimore në Pejë. Kjo për shkak se aktualisht në komunën e Pejës janë mbi 13 mijë ndërtime pa leje.

Dhënia e lejes së ndërtimit për këtë objekti banesor në Pejë është vënë nën llupën e Prokurorisë.

Gjithë ky interesim i organit të akuzës ka ardhur pasi që rasti aty është paraqitur nga Policia, konkretisht nga Njësiti i Krimeve Ekonomike.

E këtu ka dyshime se leja ndërtimore për këtë objekt është dhënë në mënyrë të kundërligjshme.

Se po merren me këtë rast e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.

“Lidhur me rastin në fjalë prokuroria e Pejës, departamenti për krime të rënda ka pranuar një shkresë zyrtare nga Policia, përkatësisht nga njësiti kundër krimeve ekonomike për çka prokuroria është në fazën e grumbullimit të informatave rreth këtij rasti dhe varësisht nga grumbullimi rasti do të procedohet tutje”, ka thënë Shkodran Nikci, zyrtar për informim në Prokurorin e Pejës.

Dyshime për këtë rast kanë edhe partitë opozitare në Pejë.

Madje, sipas Fisnik Ademit, që është sekretar i AAK-së në këtë qytet, kjo leje ndërtimi është dhënë pa nënshkrimin e ish Drejtorit të Urbanizmit.

“Ne kemi informata që nuk e ka nënshkruar ish drejtori i kaluar, por dyshimet tona janë që e ka nënshkruar Gazmend Muhaxhiri, ndryshe nuk kish marrë leje ai objekt. Fenomeni i ndërtimeve pa leje ka kapluar Pejën, janë mbi 13 mije ndërtime pa leje”, ka thënë Fisnik Dema, sekretari i AAK’së në Pejë.

Për këtë çështje media ka kontaktuar edhe me ish drejtorin Skënder Syla.

Ai përmes telefonit ka thënë se ishte  tentuar që me çdo kusht me u dhënë kjo leje, por që sipas tij nuk janë respektuar procedurat.

Ndërkohë, T7 ka kontaktuar edhe me pronarin e këtij objekti Sefedin Berisha.

Ai nuk ka dashur të flasë para kamerës, veçse ia dërguar televizionit një kopje të lejes ndërtimore e ku figuron edhe nënshkrimi i ish-drejtorit e Urbanizmit, Skender Syla.

Ndërsa televizioni gjatë ditës së martë  e ka pasur të pamundur të kontaktoj me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxhirin, pasi ky i fundit nuk i është përgjigjur interesimit të televizionit. Përgjigje nuk kanë dhënë as zyrtar të tjerë të komunës.

E shqetësim për ndërtimet pa leje kanë edhe organizatat joqeveritare.

“Qytetin e Pejës gjithë e ka përcjellë ky problem sidomos vitet e fundit kur kemi pas një aktakuzë për ish-drejtorin e urbanizmit”, ka thënë Naser Lajqi nga organizata Syri i Vizionit.

Sipas Lajqit në këtë qytet numri i ndërtimeve pa leje është goxha i madh.

(Kosova Sot Online)