Organizohet protestë për bashkim kombëtar

  • 19 nëntor 2019 - 22:51
Organizohet protestë për bashkim kombëtar

Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të protestojnë për bashkim kombëtar. Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi për media nga Zyra e OVL- UÇPMB-së në Preshevë, shkruan lajmi.net.

Aty thuhet shqiptarët kanë bërë përpjekje shekullore për të realizuar të drejtën e tyre për bashkim kombëtar.

Protesta mbahet më 28 nëntor.

Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i OVL-UÇPMB-së:

Shqiptarët janë duke bërë përpjekje shekullore për të realizuar të drejtën për bashkim kombëtarë. Këtij ideali madhor i kanë ndihmuar sakrifica të gjeneratave nga e kaluara e lavdishme, e tashmja dhe ardhmja. Shqiptarët kanë dhënë dëshmorë në luftëra për bashkim kombëtarë. Kanë zhvilluar rezistenca aktive e paqësore, kërkesa e protesta para bashkësisë ndërkombëtare dhe shumë akte tjera në shërbim të kauzës për bashkim. Të dashur qytetarë, të dashur bashkëkombas atdhetarë shqiptare po i jetojmë momentet vendimtare kur po bisedohet për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro serbe. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB – së fton qytetarët e Kosovës Lindore që t’i bashkangjitemi protestës që do të organizohet më 28 Nëntor të këtij muaji, Dita e Flamurit, dita e Pavarësisë së shtetit të Shqipërisë. Prej një mijë arsyeve që do të duhej të protestonim kundër këtij regjimi, një e veçojmë; ngritjen e zërit për bashkangjitje me Kosovën. Ejani të festojmë dhe të protestojmë për autoktoninë tonë shekullore. Protestojmë kundër padrejtësive historike, për të drejtën tonë natyrale, për realizimin e amanetit të dëshmorëve, për ardhmërinë dhe dinjitetin e fëmijëve tanë. Në bashkëpunim me subjektet politike, shoqërinë civile, bashkësinë islame OVL e UÇPMB – së fton të gjithë qytetarët që t’ i bashkangjiten kësaj proteste më 28 Nëntor, në ora 11 nga Shtëpia e Kulturës në marshin protestues deri te qendra e qytetit para Kuvendit Komunal. Dil protesto me dinjitet. Protesto për autoktoni kombëtarë, autenticitet kulturorë e patriotik. Protesto për kauzën madhore. Protesto për bashkim kombëtarë.

(Kosova Sot Online)