Denoncimi i rëndë: Nëntoka kriminale e ka bllokuar reformën zgjedhore, ky është qëllimi

  • 20 November 2019 - 07:41
Denoncimi i rëndë: Nëntoka kriminale e ka bllokuar reformën zgjedhore, ky është qëllimi

“Po të kishim sistem gjysmë mazhoritar Kosova do të kishte vetëm tre parti parlamentare. Mirëpo për ta plaçkitur shtetin, për ta zhvatur të gjithë pak e nga pak, dikush më shumë e dikush më pak, kjo po arrihet përmes sistemit proporcional, prandaj me të vërtetë është katastrofë çfarë ka ndodhur deri më tani sepse të gjitha qeveritë e shtetit janë përbërë prej 4 a 5 partive, një parti e madhe dhe tjerat të vogla, dhe këtu të gjitha kanë luftuar për përfitime individuale dhe politike gjatë qeverisjes së vendit”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë duke u nisur nga abuzimi i skajshëm që ndodhi edhe me zgjedhjet e 6 tetorit, për çka edhe po ndodhë së fundi procesi i rinumërimit të mbi 50% të vendvotimeve, derisa rreth 40% e tyre ishin rinumëruar para shpalljes së rezultatit përfundimtar, theksojnë se kjo gjendje tregon më së miri se sa thellë e ka kapur krimi i organizuar edhe sistemin e tanishëm zgjedhor.

Prandaj sipas tyre, kjo nëntokë kriminale, e ka penguar vazhdimisht deri më tani finalizimin e reformës zgjedhore, nëpërmes të cilit proces ndryshimi, do të pamundësohej në çfarëdo mënyre dhe përpjekja për të abuzuar dhe për ta deformuar një proces zgjedhor.

Se gjendja është alarmante në sistemin e tanishëm të deformuar zgjedhor, dhe krejtësisht në kontrollin e mafio-politikës, sipas analistëve politikë dhe ekspertëve të legjislacionit zgjedhor, e tregon edhe reagimi i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka e cila nga skandali i madh që ndodhi, me kërkesën e PZA-it për rinumërim edhe të rreth 60% të votave, kërkoi më në fund me ngulëm që të aktualizohet dhe realizohet Reforma Zgjedhore.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se është e nevojshme që sa më shpejtë të bëhet reforma zgjedhore, pasi që sipas saj edhe zgjedhjet e fundit parlamentare, sado të rregullta që janë dukur në sipërfaqe, ato po dalin tani skajshmërisht të abuzuara e të manipuluara nga të deleguarit e partive politike, derisa këta të fundit ankohen se manipulimi po ndodhë në proces edhe nga vetë institucioni i menaxhimit të tyre, KQZ- SKQZ-PZAP-i dhe këshillat tjera zgjedhore në kuadër të KQZ-së.

Për këtë gjendje në të cilën tash gjendet legjislacioni zgjedhor dhe i tërë sistemi, për “Kosova Sot Online” ka folur eksperti i kësaj fushe, Blerim Burjani.

Sipas Burjanit, bllokimi i reformës zgjedhore po ndodhë nga politika e inkriminuar, sepse ndryshe nuk mundë ta abuzojnë votën, nëse do të kishim një sistem tjetër të rishikuar dhe të reformuar.

Image
Blerim Burjani

“Demokracia në Kosovë u nis mbrapsht, nga varfëria e skajshme, themelim të partive për qëllime përfitimi për gjatë kësaj rruge përfituese që është punuar për shtetin, njohjen ndërkombëtare të shtetit. Kosova ka arrit të bëhet shtet dhe kjo është e arritura me e madhe, prapa rrugë nuk ka pasur, përveç pavarësimit të shtetit, por shtet ndërtimi nuk është arritur si duhet. Kosova i ka të gjitha institucionet por nuk punojnë si duhet, ndërtimi institucional është bërë për përfitime personale dhe partiake, prandaj edhe qytetarin e detyruan të gjej veten fatin e vet, nuk krijuan kushte për ekzistencë sepse në trend ishte pasurimi pa bazë i njerëzve të pushtetit dhe liderëve politik si rezultat i partive politike të deformuara që solli vetëm negativitet”, tha Burjani për “Kosova Sot Online” .

Një reformë e mirëfilltë zgjedhore, sipas Burjanit do të krijonte një mur të pakalueshëm për të depërtuar në politikë, për njerëz të lidhur me krimin e korrupsionin.

“Reforma zgjedhore nuk mundë të ndodhë akoma, sepse atëherë më nuk mundë të jetohet nga politika dhe pallavrat që për shërbim për qytetarët, ata duhet me i rrjepë, partitë me përfitua së bashku me individët. Në këtë lloj demokracie që kemi ne qytetari i Kosovës është vetëm një makinë e votimit. Nga momenti që kryhet votimin askush prej partive nuk merren me popullin,. E po të ndryshoj sistemi zgjedhor, në një sistem mazhoritar, atëherë skena politike vetvetiu do të ishte reformuar dhe pastruar, sepse do të kishim ardhur në aso situate të reduktimit dhe korrigjimit të skenës politike, me kalimin e kohës politike do të ndahej në dy blloqe dhe do të kishim vetëm dy parti. Po të kishim sistem gjysmë mazhoritar Kosova do të kishte vetëm tre parti parlamentare. Mirëpo për ta plaçkitur shtetin, për ta zhvatur të gjithë pak e nga pak, dikush më shumë e dikush më pak, kjo po arrihet përmes sistemit proporcional, prandaj me të vërtetë është katastrofë çfarë ka ndodhur deri më tani sepse të gjitha qeveritë e shtetit janë përbërë prej 4 a 5 partive, një parti e madhe dhe tjerat të vogla, dhe këtu të gjitha kanë luftuar për përfitime individuale dhe politike gjatë qeverisjes së vendit”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, një sistem i tillë e ka bërë krimin dhe korrupsionin pjesë përbërëse të pandashme të shtetit, mbi ligjin e mbi politikën.

“Korrupsioni si formë e sundimit u bë me këtë sistem zgjedhor që e kemi tani. Përfitimi nga të qenunit në politikë u institucionalizua, shteti u bë lodër e të paditurve sepse përfituan të gjithë ata që u bënë pjesë e politikës dhe e rrjepën qytetarin. Me këtë kastë politike krejtësisht të pa dekriminalizuar dhe të pa reformuar Kosova nuk do të mundë të ndryshoj sistemin zgjedhor, sepse për këtë nuk ka pajtueshmëri. Askush nga partitë politike nuk e jep pëlqim për ndryshimin i sistemit zgjedhor prandaj sistemi gjasat për ta bërë atë janë zero”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)