Profesori i njohur alarmon Kosovën, ‘godet’ rëndë politikanët

  • 20 November 2019 - 07:52
Profesori i njohur alarmon Kosovën, ‘godet’ rëndë politikanët

“Askush nuk e ka ndaluar Kosovën që për nevojat e FSK-së të ketë së pakut dy tre helikopter tash e sa vjet, madje nuk e ka ndaluar askush që të ketë edhe disa automjete më të sofistikuara të lëvizjes dhe manovrimit, disa Pincgauer, por pse jo edhe ndonjë armatim më të sofistikuar sikurse edhe vendet tjera të këtij niveli përreth nesh. Pra thjeshtë politikanët janë disa mashtrues ordiner që po e mashtrojnë popullin kinse po bëjmë ashtu e kështu dhe në fakt nuk po bëjnë asgjë për të lëvizur përpara. Shpresojmë që kjo kasta e re politike në qeverisjen e re, sado pak do ta ndryshon këtë avaz të deritanishëm”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Derisa Serbia po vazhdon të armatoset pandalshëm duke siguruar armatimin nga Rusia, pavarësisht paralajmërimeve për sanksione nga ana e SHBA-së, Republika e Kosovës, akoma është mbrapa në procesin e ndërtimit të ushtrisë së vetë mbrojtëse.

Po ashtu, edhe Mali i Zi është duke rritur gradualisht buxhetin e tij për nevojat ushtarake dhe po dërgon ushtarë në misionet jashtë vendit, ku prej futjes në NATO, Mali i Zi ka nënshkruar dy kontrata të mëdha për blerjen e armëve.

E nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se krerët e shtetit të Kosovës, pas ndryshimit të ligjit për FSK-në që e transformon atë në ushtri të Kosovës, vazhdojnë të krenohen se kanë bërë një punë të madhe në këtë drejtim, mirëpo sipas tyre, ushtria e Kosovës është transformuar vetëm në letër, ngase në praktikë po vazhdon ngecja dhe mos ekzistimi i vullnetit real për ta ndërtuar atë.

Për këtë çështja kaq serioze, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori i njohur dhe analisti politik, Jeton Kelmendi.

Sipas Kelmendit, armatosja e shtetit të Serbisë në këtë kohë dëshmon se situata në Ballkan është e tensionuar, ndonëse tash për tash një kërcënim serioz po amortizohet nga prania e madhe e NATO-s në rajon.

Image
Jeton Kelmendi

“Ngase shumica e vendeve të rajonit janë anëtarë te NATO-s, kurse shteti serb po ushtron ndaj tyre një presion të pa parë psikologjik duke vazhduar armatimin me mjete të reja, me rreze të gjatë veprimi. Mendoj se armatosja e Serbisë, që po ndodhë në vazhdimësi, është një lloj presioni psikologjik mbi fqinjët e vetë se sa që është kërcënim real, për faktin se tani më nuk mundë të paraqet rrezik, derisa shumica e vendeve të rajonit janë vende të anëtarësuara me të drejta të plota në NATO, dhe dihet që NATO me statusin e vetë është e obliguar që të ofroj mbrojtje për anëtarët e vetë, në çfarëdo lloj rreziku që ballafaqohet secili nga anëtarët e NATO-s. E këtu kemi të bëjmë me vendet kryesore në fqinjësi me Serbinë sikur që janë Shqipëria, Mali i Zi, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, pra gati të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Kosovës dhe të Serbisë”, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, Kelmendi thotë se pavarësisht mbrojtjes së Kosovës që i ofrohet nga NATO, forcë ushtarake ndërkombëtare, ushtria e shtetit duhet të ndërtohet dhe të jetë ushtri e bashkëpunimit në partneritet me NATO-n, deri në fazën e anëtarësimit edhe të Kosovës në këtë strukturë ushtarake.

“Por është dobësi e madhe e politikëbërësve kosovar që deri më tani thuajse nuk kanë bërë asgjë, përveç legalizimit të ushtrisë së Kosovës në letër përmes miratimit të ligjit për transformim të FSK-së, sepse në vend që të bëjnë ndarje meritore buxhetore për ndërtimin e ushtrisë, politikanët e korruptuar po e zhvatin buxhetin e shtetit për pasurim të tyre dhe të grupeve kriminale përreth tyre. Kjo tregon se sa të pa fuqishëm janë politikanët në Kosovë të cilët ndonëse i shesin mend vetes, deklarohen se e transformuan FSK-në në ushtri të Kosovës, kjo tregon se sa këta njerëz gjithçka që bëjnë e kanë për folklor, për çështje të interesit grupor e politik, vetëm për vota, sepse në realitet nuk e kanë bërë realitet transformimin dhe ndërtimin e ushtrisë sepse as deri më tani këtyre nuk jua ka ndalë asnjë njeri që ta armatosin FSK-në, që armatimi i FSK-së të futet me projekte konkrete edhe në planet buxhetore, jo për të bërë gara me Serbinë në armatim, sepse këtë nuk mundë ta bëjmë, nuk jemi aq të fuqishëm nga ana financiare, por që ta kemi një ushtri sipas kapaciteteve financiare dhe nevojave të mbrojtjes, shumë më profesionale, sigurisht se kemi pasur mundësi kaherë ta bëjmë. Madje këtë kemi mundur ta bëjmë edhe para se të transformohej me Ligj FSK-ja në ushtri, duke ndërtuar fillimisht strukturat komanduese profesionale, sepse dihet fillimisht që edhe komandanti i sajë është me gradën gjeneral por nuk e ka të kryer as shkollën fillore të rregullt, prandaj nuk ka ushtri që mundë të krahasohet me ushtarët e NATO-s kur ta kesh një ushtar apo ushtri të këtij niveli të të ashtuquajturve gjeneral. Duhet strukturuar dhe shkolluar njerëzit”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas profesor Kelmendit, Kosova ka dështuar për fajin e politikës që këtë ushtri të vogël ta pajis edhe me mjetet bazike, më të nevojshme për intervenime humane emergjente, e të mos flasim për më shumë.

“Askush nuk e ka ndaluar Kosovën që për nevojat e FSK-së të ketë së pakut dy tre helikopter tash e sa vjet, madje nuk e ka ndaluar askush që të ketë edhe disa automjete më të sofistikuara të lëvizjes dhe manovrimit, disa Pincgauer, por pse jo edhe ndonjë armatim më të sofistikuar sikurse edhe vendet tjera të këtij niveli përreth nesh. Pra thjeshtë politikanët janë disa mashtrues ordiner që po e mashtrojnë popullin kinse po bëjmë ashtu e kështu dhe në fakt nuk po bëjnë asgjë për të lëvizur përpara. Shpresojmë që kjo kasta e re politike në qeverisjen e re, sado pak do ta ndryshon këtë avaz të deritanishëm”, përfundoi Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)