E tmerrshme: Zagarët e gjahtarëve mbysin një grua shtatzënë në Francë

  • 20 November 2019 - 08:37
E tmerrshme: Zagarët e gjahtarëve mbysin një grua shtatzënë në Francë

Një grua shtatzënë është mbytur nga zagarët që ishin duke u përdorur për gjah nga disa gjahtarë në pjesën veriore të Francës. Ky rast i tmerrshëm u zbulua pas hetimeve të policisë.

Trupi i pajetë i një gruaje 29 vjeçe u gjet në një pyll afër qytezës Villers-Cotterets, rreth 90 kilometra në verilindje të Parisit. Lajmin e bëri të ditur zyra e prokurorit në Soissons.

Rezultatet e autopsisë treguan se gruaja vdiq për shkak të gjakderdhjes së shkaktuar nga disa kafshime të qenve në kokë, në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme. Prokurori Frederic Trinh tha të martën se qentë e kishin vazhduar ta kafshojnë viktimën edhe pasi ajo kishte vdekur.

Ai shtoi se autoritetet ua kanë bërë testet 93 qenve, përfshirë disa zagarë të përfshirë në gjah dhe pesë qen që i përkisnin gruas së ndjerë në mënyrë që të gjenden qentë që e kanë sulmuar atë.

Sipas gazetës lokale “Le Courrier Picard”, zagarët ishin lëshuar në pyll për gjah të drerëve.

Viktima e kishte lajmëruar partnerin e saj përderisa po i shëtiste qentë e vet për ta lajmëruar për praninë e disa qenve të rrezikshëm, njoftoi zyra e prokurorit. Më vonë, partneri e gjeti trupin e pajetë të gruas në pyll.

Brigitte Bardot, kryetare e një fondacioni për mirëqenien e kafshëve, u shpreh e shokuar për këtë rast dhe përmes një letre kërkoi nga Ministria e Transicionit Ekologjik që t’i suspendojë menjëherë të gjitha lejet për gjah gjatë këtij sezoni, shkruan “The Guardian".

(Kosova Sot Online)