Dy ushtarë amerikanë vdesin nga rrëzimi i helikopterit në Afganistan

  • 20 November 2019 - 10:40
Dy ushtarë amerikanë vdesin nga rrëzimi i helikopterit në Afganistan

Ushtria amerikane ka njoftuar se dy pjesëtarë të saj kanë vdekur nga rrëzimi i një helikopteri ushtarak në Afganistan.

Raportohet se helikopteri u rrëzua të mërkurën dhe është duke u hetuar nga forcat amerikane në Afganistan. Sipas raporteve preliminare, helikopteri nuk është rrëzuar për shkak të sulmit nga forcat armike.

Talibanët pretenduan se e kanë rrëzuar këtë helikopter në distriktin Charkh të provincës lindore të Logar-it në orën 1 pas mesnatës sipas kohës lokale dhe se të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur.

Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Afganistan i kundërshtoi pretendimet e talibanëve, duke thënë se në rrëzimin e helikopterit amerikan nuk ishin të përfshira forcat armike.

Grupi famëkeq militant vazhdimisht e merr përgjegjësinë për rrëzimin e helikopterëve dhe dronëve të forcave që i lufton, ndonëse nuk ofron dëshmi për këto pretendime.

Ndryshe, nëntëmbëdhjetë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur në Afganistan në incidente të ndërlidhura me luftën vetëm gjatë këtij viti.

Në Afganistan ndodhen rreth 13 mijë trupa amerikane, të cilat janë pjesë e misionit të NATO-s për përkrahje të forcave afgane, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)