Zbardhet skenari kundër koalicionit Vetëvendosje-LDK, ky është plani i SHIK-ut

  • 20 November 2019 - 19:50
Zbardhet skenari kundër koalicionit Vetëvendosje-LDK, ky është plani i SHIK-ut

“E gjitha kjo flet qartë se loja për më tepër se një muaj e KQZ-së me në krye dorën e zgjatur të Hashim Thaçit, Valdete Daka për serinë e rinumërimeve të pjesshme si dhe veprimi i fundit i PZAP-it, që pas rreth pesë-gjashtë javësh nga mbajtja e votimeve të 6 tetorit të bëhet rinumërimi edhe i mbi 60 % të vendvotimeve tjera, që me serinë e cikleve të mëparshme të rinumërimit, kapin shifrën e rreth 90% të votave të përgjithshme në vend, kuptohet plotësisht se këtu më nuk kemi fare të bëjmë me vendime ligjore e kushtetuese as sjellje demokratike, por me veprime qëllimkëqija për prishjen e balancës së koalicionit VV-LDK”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

Analistët politikë kanë filluar ta shohin me dyshime të mëdha qasjen serioze të LVV-së dhe LDK-së për arritjen e një marrëveshje të sinqertë për të bashkëpunuar dhe krijuar koalicionin e ri qeverisës, pas fitores së tyre bindëse në zgjedhjet e 6 tetorit.

Image
Gani Qarri

Sipas analistit politik, Gani Qarri, ka kohë që është angazhuar nëntoka kriminale për ta penguar një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, dhe së fundi është duke punuar me të madhe që të mos ndodh koalicioni mes këtyre dy partive. 

Prandaj sipas Qarrit, së fundi kanë filluar të dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe, hapur e fuqishëm, dallimet që mundë ta pengojnë krijimin e koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së për çështje serioze programore e konceptuale. 

“Vetë fakti që avokati dhe ish këshilltari i të parit të LDK-s, Besnik Berisha, qysh më 7 tetor, pra vetëm një ditë pas mbajtjes së votimeve të 6 tetorit, deklaronte me pompozitet se do të vinte viti i ri dhe Kosova nuk do të ketë qeveri, flet katërçipërisht se kjo ishte një deklaratë e porositur drejtpërsëdrejti nga Isa Mustafa për të njoftuar opinionin publik mbi ndërskambëcat që ai dhe bashkëpunëtorët e SHIK-ut, brenda LDK-së, bashkë me Hashim Thaçin, kishin planifikuar për pengimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së”, tha analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Qarri thotë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa, që nga fillimi është deklaruar me shumë hezitim dhe vetëpërmbajtje sa i takon koalicionit pas zgjedhor me VV-në, dhe ky hezitim është dashur të kuptohet me kohë që nisma edhe mundë të dështojë fare lehtë nga ndërhyrja jashtë subjektit politik.

“Nëntoka, kriminale, dhe disa struktura që veprojnë brenda LDK-së, bashkëpunues me këtë lidhje kriminale. Madje duke vepruar me projekt të përgatitur paraprakisht nga SHIK-u, Isa Mustafa përkundër rezultatit të votimeve të 6 tetorit, të cilat fitues nxorën Vetëvendosjen, në vijimësi deklaronte dhe vazhdon ti përmbahet qëndrimit se koalicioni qeverisës me VV-n, mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të zgjedhjeve, gjë që siç shihet tanimë edhe publikisht, kishte për qëllim abuzimin me rezultatin e votimeve të 6 tetorit dhe ndryshimin e dhunshëm të vullnetit të popullit, për të katapultuar me imponim të paktën edhe një parti të krimit, si Nisma jo vetëm në Kuvend por edhe në qeveri, që është e papranueshme për VV-n, dhe siç po dëshmohet, jo vetëm prish balancën e koalicionit dy-partiak, por edhe pamundëson krijimin e një qeverie stabile ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së”, shtoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, mospajtimet mes LVV-së dhe LDK-së po shihen qartë edhe në pjesën programore që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, gjë që e bënë akoma më të pa qartë rrugën e bashkëpunimit mes tyre për ta bërë një qeveri me duar të pastra. 

“E nëse i shtohet kësaj edhe frikësimi i Isa Mustafës nga deklaratat e Albin Kurtit për dënimin e kriminelëve dhe të korruptuarve si dhe riaktivizimin e çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e gjitha kjo flet qartë se loja për më tepër se një muaj e KQZ-s me në krye dorën e zgjatur të Hashim Thaçit, Valdete Daka për serinë e rinumërimeve të pjesshme si dhe veprimi i fundit i PZAP-it, që pas rreth pesë-gjashtë javësh nga mbajtja e votimeve të 6 tetorit të bëhet rinumërimi edhe i mbi 60 % të vendvotimeve tjera, që me serinë e cikleve të mëparshme të rinumërimit, kapin shifrën e rreth 90% të votave të përgjithshme në vend, kuptohet plotësisht se këtu më nuk kemi fare të bëjmë me vendime ligjore e kushtetuese as sjellje demokratike, por me veprime qëllimkëqija për prishjen e balancës së koalicionit VV-LDK, ri katapultimin e PDK-s dhe kurdisjen e një koalicion të ri me Isa Mustafën e Lutfi Hazirin dhe Nismën e Fatmir Limajt e AKR-në e Behgjet Pacollit për krijimin e qeverisjes pasuese po nga këta”, deklaroi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)