Dymbëdhjetë ditë pas përleshjes, shtatë të dyshuar për plagosjen në “Duplex” ende në arrati

  • 21 November 2019 - 17:58
Dymbëdhjetë ditë pas përleshjes, shtatë të dyshuar për plagosjen në “Duplex” ende në arrati

Mesnatën e 9 nëntorit në rrugën “Rinia” në Prishtinë, një përleshje me grushte kishte eskaluar deri në përdorim të armëve të zjarrit.

Si pasojë e kësaj, katër persona kishin mbetur të plagosur dhe kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në pamjet e kamerave të sigurisë shihej se të dyshuarit fillimisht ishin fjalosur me sigurimin e më pas ishin përdorur edhe armët e zjarrit.

Një nga të dyshuarit kishte shtënë në drejtim të sigurimit, duke i goditur ata me armë zjarri në këmbë.

Ndërkaq po atë natë, policia në vendngjarje ka sekuestruar tri armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorur në këtë rast, i cili në polici është iniciuar si “Vrasje në Tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Hetuesit policorë kishin arritur t’i identifikonin nëntë persona të dyshuar, por deri më tani vetëm dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, kurse shtatë të tjerë ndodhen në arrati.

Astrit Mehmeti i njohur si “Llepota” dhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën ‘Italiani’ janë ndër të dyshuarit kryesor lidhur me këtë rast. Megjithatë, të dy vazhdojnë të jenë të lirë, derisa po kërkohen nga organet e rendit.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, kanë theksuar se ata janë në kërkim policor.

“Bazuar në të dhënat që kemi deri tani, në këtë rast janë nëntë persona të dyshuar të cilët janë identifikuar nga ana e hetuesve policor. Prej tyre janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje 2 persona të dyshuar. Shtatë personat e tjerë të dyshuar ndodhen në arrati dhe janë në kërkim policor”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Policisë së Kosovës.

Policia shton se në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke u intervistuar personat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këitij rasti.

“Aktualisht në koordinim me Prokurorinë e Shtetit po kryhen veprimet hetimore ku përfshihen intervistimet e personave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit”, thekson policia.

Ndërkaq, për kapjen e “Llepotës” është lëshuar edhe urdhërarrest. Kjo është bërë me kërkesë të Prokurorisë, e cila i ka dërguar atij ftesë që të paraqitet vullnetarisht në prokurori.

Sipas këtij urdhërarresti, Policia e Kosovës detyrohet ta kërkojë, ta arrestojë dhe ta sjellë para prokurorisë të dyshuarin i cili ende është në arrati.

Ndërkaq “Llepota” i cili ishte arrestuar gjashtë ditë para se të ndodhte rasti në “Duplex” dhe ishte liruar me vendim të prokurorit në procedurë të rregullt, duket se është emër i njohur edhe për organet e sigurisë në Spanjë.

Siç raportonte gazeta e njohur spanjolle “El Pais” më 2006, Astrit Mehmeti ishte arrestuar në qytezën Castelldefels të krahinës së Katalonjës në Spanjë nën dyshimin për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe vjedhje.

Sipas “El Pais”, Mehmeti ishte në mesin e 12 personave të arrestuar në këtë vend. Policia spanjolle kishte thënë për aksionin se kishte shkatërruar një ndër organizatat më të mëdha mafioze shqiptare që vepronte në Katalonjë. Grupi kriminal dyshohej për vjedhje të kasafortave dhe dyqaneve.


(Kosova Sot Online)