Rinumërohen 1 mijë e 34 vendvotime, mbesin edhe 373 të tjera

  • 21 November 2019 - 18:15
Rinumërohen 1 mijë e 34 vendvotime, mbesin edhe 373 të tjera

Sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar edhe 65 vendvotime, kështu vendvotimet e numëruara deri më tani janë 1034 të tilla duke mbetur edhe 373 të tjera për të përfunduar procesi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë mediave se deri më tani janë numëruar 73.49% e vendvotimeve.

“Vetëm deri në orën 16 të ditës së sotme, e enjte, janë rinumëruar 65 vendvotime. Në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është: 1 034 apo 73.49%”, ka thënë Elezi.

Elezi ka thënë se në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe mesatarisht numërohen 750 fletëvotime në ditë.

“Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së.

(Kosova Sot Online)