Ja kur përfundon gjithçka rreth zgjedhjeve

  • 21 November 2019 - 22:53
Ja kur përfundon gjithçka rreth zgjedhjeve

Tanimë ka përfunduar rinumërimi i afro 75% të votave në QNR. Rinumërimi erdhi pas vendimit të PZAP’së që i mori parasysh ankesat e subjekteve politike për parregullësi në numërimin e votave.

“Vetëm deri në orën 16 të ditës së sotme, e enjte, janë rinumëruar 65 vendvotime. Në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është: 1,034 apo 73.49%”, ka thënë zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Gjithsej është dashur të rinumërohen 1407 vendvotime, dhe kur i shtohen kësaj edhe 860 që janë rinumëruar më herët, atëherë i bie që thuajse 90% e vendvotimeve në nivel vendi janë rinumëruar.

Gjithsesi duket se procesit po i vjen fundi dhe shumë shpejt pritet certifikimi i rezultateve nga KQZ.

“Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi.

Elezi ka thënë për media se rinumërimi pritet të përfundojë të dielën.

(Kosova Sot Online)