Kurti: Thaçi të japë dorëheqje ose do të shkarkohet

  • 21 November 2019 - 23:17
Kurti: Thaçi të japë dorëheqje ose do të shkarkohet

Kreu i Vetëvendosjes dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër nga radhët e saj, Albin Kurti, ka thënë se Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqje ose ndryshe do të shkarkohet.

“Duhet të japë dorëheqje ose do të shkarkohet. Ai duhet ta kuptojë vetë dhe të japë dorëheqje”, është shprehur Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se populli nuk do ta jap Mitrovicën për bashkim kombëtar.

“Rënia e dëshirës për bashkim vjen nga ideja e shkëmbimit të territoreve. Njerëzit nuk duan të japin Mitrovicën për bashkim kombëtar. Në Kosovë ka shumë politikanë që flasin për shkëmbim duke hequr dorë nga veriu. Në Serbi nuk ka asnjë politikan që flet për falje territori”, ka thënë Kurti në Top Channel.

Ai gjithashtu ka treguar se Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka ndryshuar konceptin për bashkim kombëtar, por vetëm mënyrën dhe strategjinë për të arritur deri te ajo.

“Ne nuk heqim dorë, konceptin nuk e kemi ndryshuar, mënyrën dhe strategjinë po, kemi bërë edhe ne llogari politike. Ne kohët e fundit kemi theksuar atë që dihet më pak; nuk konsiderojmë që shqiptarët janë të varfër e të papunë për shkak të kulturës së Shqipërisë, ose prej pasjes ose mospasjes, por për shkak të modelit të gabuar politik. Kemi rimarrë një ide të braktisur, s’është e jona, bashkimi kombëtar na bën ne më shumë se ne e bëjmë në atë, ai na bën ne dhe ne e përbëjmë atë”, shtoi Kurti.

(Kosova Sot Online)