A duhet një “Dejton 2” për të zhbllokuar ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë?

  • 22 November 2019 - 07:51
A duhet një “Dejton 2” për të zhbllokuar ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë?

Sot janë bërë 24 vjet kur është arritur marrëveshja e “Dejtonit”, për të ndalur luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Marrëveshja e “Dejtonit”, 24 vjet më parë i kishte dhënë fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku edhe u vendos rendi kushtetues dhe ligjor në këtë shtet.

Mirëpo se a mund të kemi një marrëveshje “Dejton 2”, për çështjen e Kosovës dhe Serbisë?.

Ish-diplomat dhe njohës politikë serb, këtë e shohin si të mundshme por që sipas tyre, “Dejton 2”, duhet të bëhet më ndryshe dhe me rregulla krejtësisht tjera nga “Marrëveshja e Dejtonit”, për Bosnjë dhe Hercegovinën.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, thotë se, ngërçi në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet vetëm përmes ndërkombëtarëve, pasi që sipas tij, një “Dejton 2”, edhe mund të jetë i mundur nëse ka përafrim të të dyja shteteve.

Por janë bërë një vit që kur Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë takim bilateral për dialogun dhe e gjithë kjo kohëzgjatje e mosvazhdimit të dialogut është për shkak të taksës prej 100 për qind që ka vënë Kosova.

Që prej asaj kohe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, janë takuar disa herë mirëpo, këto takime kanë ndodhur në kuadër të takimeve që janë organizuar nga liderët botëror.

Analisti politik serb, Dragomir Andjelkoviq, ka thënë për “telegraf.rs”, se një konferencë ndërkombëtare e ngjashme me “Dejtonin” e vitit 1995 është e mundur, por që kjo duhet të bëhet në rregulla të ndryshme.

“Serbia është një vend mjaft serioz për të mos pranuar një zgjidhje që është në kundërshtim me interesin e saj. Por, ekziston mundësia që një konferencë e tillë të mbahet, por ne do të duhet të insistojmë që Rusia të ketë gjithashtu një fuqi vetoje nëse një zgjidhje imponohet kundër nesh në mënyrë që të ketë një lloj “freni të sigurisë””, theksoi ai.

Andjelkoviq shpjegon se çdo konferencë ndërkombëtare ka potencialin për të rezultuar kur një forcë mbizotëron, siç është “Dejtoni”, ose kur disa prej tyre bien dakord për parimet me të cilat duhet të funksionojë një konferencë ndërkombëtare, siç kemi pasur një rast me Kongresin e Berlinit.

“Aty fuqitë e mëdha kishin një lloj ekuilibri të fuqive dhe një marrëveshje për të gjetur një zgjidhje me kompromis. Pra, një konferencë e tillë është e mundur, por me kusht që Perëndimi ta pranojë Rusinë si një partner të barabartë dhe të vendoset një metodologji për ta adresuar atë në mënyrë që askush të mos kërcënohet”, potencoi Andjelkoviq.

Millan Krstiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike, ka thënë se, një seri takimesh në Bruksel është një indikacion shumë me realist sesa një “Dejton 2”.

Sipas tij, për shkak të rrethanave të tanishme, një konferencë e tillë nuk është një “histori e vërtetë” dhe se për disa arsye paralele midis dialogut të Beogradit dhe Prishtinës “Konferenca e Dejton 2”, nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe e suksesshme.

Një seri takimesh më të vogla në Bruksel, shpjegon ai, është një mundësi më realiste, pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luajnë një rol shumë më të madh në sesa ka qenë deri më tani.

“Sidoqoftë, nuk besoj se në këtë aspekt mund të tërhiqet plotësisht paralelja me Dejtonin, sepse amerikanët ishin ndërmjetësi i vetëm atje, dhe në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të jetë, sepse BE-ja me siguri do të mbetet si një ndërmjetës me ndikim dhe një faktor i rëndësishëm për ndryshimin e marrëveshjes”, shpjegoi Krstiq për “telegraf.rs”.

Duhet theksuar se “Marrëveshja e Dejtonit”, më 1995 kishte ardhur si rezultat i bisedimeve trejavëshe, pra nga 1 deri më 21 nëntor 1995.

Në atë kohë, kjo marrëveshje u arrit për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe u arrit më 21 nëntor të vitit 1995 në bazën e Forcave Ajrore Wright-Patterson afër Dejtonit në Ohio.

Ndërkaq më 14 dhjetor të vitit 1995 u nënshkrua zyrtarisht në Paris dhe akterët kryesor të kësaj marrëveshje ishin presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, presidenti boshnjat, Alija Izetbegoviq, presidenti i Kroacisë, Franjo Tudjman, ndërmjetësi amerikan Richard Holbrooke dhe gjenerali Wesley Clark.

(Kosova Sot Online)