Vuçiq: Moska i ka fajet për spiunazh, kam prova në lidhje me spiunë të tjerë rusë

  • 22 November 2019 - 09:08
Vuçiq: Moska i ka fajet për spiunazh, kam prova në lidhje me spiunë të tjerë rusë

Agjencitë e inteligjencës serbe kanë zbuluar një operacion të gjerë që përfshin spiunë rusë dhe pjesëtarë të ushtrisë serbe.

Kështu, siç shkruan Reuters, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference të enjten.

Po sipas këtij mediumi, deklaratat e Vuçiqit erdhën pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të cilin ai e mblodhi pasi një video ku tregohej se një oficer i inteligjencës ruse po i jepte para një burri serb në Beograd u bë publike në YouTube gjatë fundjavës.

Videoja, e cila nuk ishte bërë nga agjentët serbë, tregonte një burrë të identifikuar si Georgy Kleban, ish-ndihmës atashe ushtarak në ambasadën e Rusisë në Beograd, duke takuar një oficer serb në pension, të cilin Vuçiq e identifikoi vetëm si Z.K.

Vuçiq më tej ka thënë se takimi u zhvillua dhjetorin e kaluar, por nuk tha se kush e kishte bërë videon.

Agjentët serbë që ndoqën Z.K. nuk mund të bënin mbikëqyrje të Kleban dhe burimit të tij serb “përveç nga larg” pasi oficeri rus kishte detajet e tij të mbrojtjes. Por ata ishin më të suksesshëm në raste të tjera, tha Vuçiq.

“Në disa raste, agjencitë serbe të sigurisë mblodhën prova audio dhe video të kontakteve midis Lt.Col. Kleban dhe pjesëtarëve të ushtrisë serbe”, citohet të ketë thënë Vuçiq në një konferencë për shtyp.

Dhe siç vlerëson Reuters, incidenti ka potencial për “thartim” të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Rusisë, të cilët janë aleatë të vjetër.

“Dy vendet kanë lidhje të forta politike, ushtarake, kulturore dhe ekonomike. Moska e mbështet Beogradin në refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”, vë në pah Reuters.

Mediumi në fjalë shkruan tutje se Vuçiq tha se agjentët serbë kishin gjithashtu prova në lidhje me spiunët e tjerë rusë. “Ka pasur 10 kontakte me tre burime”, ka thënë ai.

Ai akuzoi gjithashtu përfaqësuesit ushtarakë të disa vendeve perëndimore që sipas tij spiunonin Serbinë.

Por Vuçiq tha që skandali i spiunit nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë, duke shtuar se ai ishte i sigurt se “presidenti (Vladimir) Putin nuk ishte i informuar për këtë”.

“Ne nuk do ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Rusisë, të cilën ne e shohim si një vend vëllazëror dhe miqësor … por ne do të forcojmë mbrojtjet tona të inteligjencës. Kishte vetëm një gjë që e kam pyetur sot ambasadorin rus – e kam pyetur vetëm – Pse?”

Ndryshe, Vuçiq është planifikuar të udhëtojë në Moskë në 4 dhjetor për të takuar Putinin për takimin e tyre të tretë këtë vit.

Ndërkohë në Moskë, Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, tha në një konferencë se pamjet duhet të konsiderohen si “një provokim” i krijuar për të krijuar “një përshtypje të caktuar”.

Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ishte i sigurt se asgjë nuk mund të dëmtonte marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë.

Reuters shkruan se Serbia varet nga nafta dhe gazi rus dhe dëshiron të bashkohet me tubacionin e gazit TurkStream që do të anashkalonte Ukrainën dhe do të transportonte gazin rus në tregjet evropiane.

Veç tjerash Vuçiq ka thënë gjithashtu se Serbia nuk do të ndryshojë doktrinën e saj për neutralitetin ushtarak dhe nuk do të bashkohet me NATO-n as Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive të kontrolluar nga Rusia.

(Kosova Sot Online)