Ministrja Shahini teksa arsyeton gabimin me hartë ne tekste shkollore, e huq numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën

  • 22 November 2019 - 11:46
Ministrja Shahini teksa arsyeton gabimin me hartë ne tekste shkollore, e huq numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën

Skandali i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me hartën në të cilën shihej Kosova si pjesë e Serbisë, u pasua edhe me një tjetër. Në një libër shkollor në Shqipëri që përdoret nga nxënësit e klasave të 8-ta gjithashtu ilustrohej një tekst me një hartë në të cilën kufiri i Serbisë arrin deri në Morinë.

Ndryshe nga Edi Rama, për këtë skandal me tekste shkollore ka reaguar ministrja shqiptare nga Kosova, Besa Shahini, duke thënë se i vjen keq për një lëshim të tillë.

“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit”, ka shkruar minsitrja e Arsimit në Shqipëri.

Megjithatë ministrja Shahini teksa ka reaguar për një lëshim të tillë skandaloz, ka bërë një gabim tjetër duke e shënuar në mënyrë të pa saktë numrin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Shahini fillimisht ka shkruar se Kosovën e kanë njohur 22 shtete anëtarë të Bashkimit Evropian, ndërsa më pas e ka përmirësuar këtë gabim, duke e  shkruar 23, meqenëse nga 28 shtete anëtare të BE’së, vetëm 5 nga to nuk e kanë njohur Kosovën.

“Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate”, kishte shkruar Shahini fillimisht.

Republika e Kosovës ka shpallur pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës zyrtare të publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figuron se Kosova është njohur nga gjithsejtë 116 shtete.

23 nga to janë shtete anëtare të BE’së, derisa Sllovakia, Rumania, Greqia, Qipro e Spanja vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet.

(Kosova Sot Online)