“Çnjohja nga Nauru”, MPJ-ja thotë se Serbia paguan ryshfet për deklarata të tilla

  • 22 November 2019 - 14:51
“Çnjohja nga Nauru”, MPJ-ja thotë se Serbia paguan ryshfet për deklarata të tilla

Ministria e Punëve të Jashtme kanë reaguar pas lajmit në mediat serbe, ku shkruhet Republika e Naurus ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këshilltari i Ministrit në detyrë të MPJ-së, Jetlir Zyberaj ka thënë për media se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar përmes kanaleve diplomatike me të gjitha shtetet. Derisa, shton se Kosova nuk bën komente për deklarata dhe dokumente që shpallen nga Beogradi dhe që bëhen pasi shteti serb paguan ryshfet për to.

Zyberaj ka thënë se nuk kanë marrë asnjë komunikim lidhur me këtë temë, e se dy vendet kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po punon përmes kanaleve diplomatike me gjitha shtetet. Kosova nuk bën komente për dokumentet dhe deklarata që shpallen nga Beogradi dhe që si në të kaluarën si në rastin e Republikës së Afrikës Qendrore ryshfetet janë përdorur për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë. Ne nuk kemi marrë asnjë komunikim dhe dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, ka thënë Zyberaj.

Sot ndërkaq, mediat e afërta me pushtetin në Serbi kanë raportuar se Republika e Naurus ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, pa e dokumentuar një gjë të tillë.

Shteti i Naurus ka qenë një prej të parëve që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Nauru gjendet në Oqeani dhe ka një hapësirë vetëm prej 21 kilometrave katrorë.

Në faqen e MPJ-së figuron se Nauru ka njohur Kosovën shtet më 23 prill të vitit 2008.

(Kosova Sot Online)