Përfundon takimi Kurti e Mustafa, ja kur nënshkruhet marrëveshja

  • 22 November 2019 - 15:08
Përfundon takimi Kurti e Mustafa, ja kur nënshkruhet marrëveshja

(E plotësuar) - Ka përfunduar takimi ndërmjet kryetarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur para mediave pas takimit që e pati me Isa Mustafën, kreun e LDK-së.

Kurti pas takimit që zgjati pak më shumë se një orë tha se janë dakorduar që të takohen përsëri javën tjetër.

“Patëm një takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së me që rast në të njëjtën kohë patëm edhe takimin e grupeve tona punuese që po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisë, ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, dhe u morëm vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit, do të takohemi që ta bëjmë marrëveshjen brenda tre katër ditësh pastaj, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, me që rast ftesa ime e përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa tashmë është e dhënë. Ne do të takohemi një orë pas certifikimit të rezultateve ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve marrëveshjen përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, shtoi lideri i VV-së.

Kurti tha se janë marrëveshja e koalicionit tashmë i ka 26 faqe tekst.

“Do të vazhdojmë takimet mes grupeve tona punuese për harmonizimin e programit qeverisës që deri në këto çaste i ka 26 faqe tekst, kemi dëshmuar një kulturë të re të formimit të qeverisë, me fjalë të tjera u dakorduam për një tempo të re”, përfundoi ai.

Takimi i elefantëve, Kurti e Mustafa vazhdojnë bisedimet për koalicionin

Dy partitë e para të dala nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, VV e LDK-ja kanë filluar sot nivelin politik të bisedimeve për t’u dakorduar edhe në disa çështje të mbetura për koalicionin që mund t’i çojë së bashku në qeveri.

Tashmë në hotelin ku do të mbahet takimi kanë arritur të dy liderët, Albin Kurti i VV-së, e Isa Mustafa i LDK-së. Megjithatë, takimi po mbahet pa praninë e mediave.

Që nga 6 tetori dy partitë kanë filluar takimet në mes të grupeve punuse, derisa, tashmë në nivel të liderëve do të diskutohet për ndarje të ministrive e për dialogun.

Nuk është përjashtuar mundësia që të diskutohet edhe për pozitën e presidentit.

(Kosova Sot Online)