Shkencëtarët hungarezë mund ta kenë zbuluar forcën e pestë të natyrës

  • 23 November 2019 - 10:26
Shkencëtarët hungarezë mund ta kenë zbuluar forcën e pestë të natyrës

Sipas fizikës, ekzistojnë katër forca që e kontrollojnë gjithësinë tonë të dukshme, përfshirë prodhimin e nxehtësisë në Diell dhe mënyrën se si punojnë kompjuterët. Ato janë forca e gravitetit, forca elektromagnetike, forca e dobët bërthamore dhe forca e fuqishme.

Megjithatë, sipas një studimi të ri, mund të ekzistojë edhe një forcë tjetër. Shkencëtarët e Institutit për Kërkime Bërthamore në Akademinë e Shkencave në Hungari kanë publikuar gjetje që mund të dëshmojnë një shembull të forcës së pestë.

Shkencëtarët ishin duke e përcjellë procesin e shkatërrimit të një atomi të heliumit, gjatë të cilit lirohet dritë. Grimcat u ndanë në një kënd të pazakonshëm prej 115 shkallësh dhe kjo gjë nuk mund të shpjegohet nga ligjet e derisotme të fizikës.

Udhëheqësi i këtij studimi, Attila Krasznahorkay, i tha televizionit CNN se ekipi i tij dy herë e ka vërejtur një grimcë të re, të cilën e emërtuan “X17”, sepse masa e saj ishte 17 megaelektrovoltë.

“Grimca X17 mund të jetë grimë që e lidh botën tonë të dukshme me materien e errët”, tha ky shkencëtar.

Jonathan Fend, profesor i fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Kalifornisë, tha se e ka ndjekur punën e ekipit hungarez për disa vjet dhe beson se hulumtimi i tyre po merr formë dhe mund të bëjë ndryshime në fushën e fizikës, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)