Specialja e ka ftuar personin për vrasjen e Xhemail Mustafës, deklarata e ish-deputetit që tronditi të gjithë

  • 24 November 2019 - 10:55
Specialja e ka ftuar personin për vrasjen e Xhemail Mustafës, deklarata e ish-deputetit që tronditi të gjithë

Përkundër që kanë kaluar 19 vite, vrasja e shkrimtarit dhe publicistit Xhemail Mustafa përbën një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura menjëherë pasluftës në Kosovë.

Gjatë ditës anëtarë të kryesisë së LDK-së, familjarë dhe veprimtarë kanë bërë homazhe në 19 vjetorin e vrasjes së zëdhënësit të lirisë dhe veprimtarit Xhemail Mustafa.

Në emër të kryetarit Mustafa dhe kryesisë së LDK-së, për veprën e tij ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

“Vrasja tinëzare e Xhemail Mustafës ishte humbje e madhe për Kosovën. I rëndë është fakti që edhe pas 19 vitesh institucionet e drejtësisë nuk e zbardhën këtë rast”, ka thënë ndër të tjerash nënkryetari Haziri.

Ndërsa, në emër të familjes Mustafa, ka shprehur dhimbje dhe krenari vajza e Xhemailit, Berjanë Mustafa, e cila shprehu zhgënjimin nga institucionet e vendit për mosndriçimin e vrasjes së babait të saj.

“Është ftuar nga Specialja personi që lidhet me vrasjen e Xhemail Mustafës”

Ish-deputeti Milaim Zeka, përmes një shkrimi në Facebook, javë më parë ka shokuar të gjithë. Ai ka thënë se Specialja ka target UÇK-në dhe SHIK-un.

Ai gjithashtu kishte zbuluar se në mesin e të ftuarave, njeri lidhet me plagosjen e Sabri Hamitit, vrasjen e Enver Malokut dhe Xhemail Mustafës.

Ndërsa, kishte treguar se një tjetër person rrezikohet nga Specialja të ndalohet në dhomat e paraburgimit.

“Gjykata speciale ka target UÇK-në dhe SHIK-un. Disa nuk kanë as pasaporta. Ka filluar si spektakël mediatik, po nuk po del të jetë i tille. Fillimisht u mor si hajgare nga prijësit e shtetit, po nuk po del ashtu. U fol keq e me keq për Dick Martyn, po ai kishte lexuar atë shprehjen e famshme se “me të shalla nuk ka lindur askush”. Tani po shpeshtohen ftesat për në Gjykatën Speciale. Disa prej të ftuarave që nuk kane lidhje me luftën, sipas disa burime “kanë qenë pjesë e SHIK-ut”! Ka logjikë kjo punë”, shkruante ai. 

Ai gjithashtu kishte paralajmëruar se arrestimet e para nga Specialja do të ndodhin në fund të muajit nëntor.

Milaim Zeka

“Në mesin e të ftuarave, njeri “lidhet me plagosjen e Sabri Hamitit, vrasjen e Enver Malokut dhe Xhemail Mustafës”. Një tjetër rrezikon të ndalohet në dhomat e paraburgimit. Një tjetër po del që nuk ka as dokument udhëtimi. Presioni ndërkombëtar është rritur ndaj Gjykatës që të fillojë arrestimet. Si duket i pari do të ndodhe në fundin e muajit Nëntor”, ka paralajmëruar ai.

Ndërsa, në fund të shkrimit, thekson se në Hagë do të gjykohet dhe akuzohet individi, mbase edhe ata që kanë abuzuar me luftën UÇK-së.

“Brenda po shtohen zërat kërcënues ndaj Albin Kurtit për zhbërjen e kësaj gjykate. Diçka krejt e pamundur dhe përtej çdo logjike kombëtare dhe shtetërore. Tani, në çdo ditë do të dëgjojmë deklaratat e tipit” -“Do ta mbrojmë luftën e shenjtë të UÇK-së”. Atje nuk do të gjykohet lufta, as UÇK ja. Në Hagë do të gjykohet dhe akuzohet individi, mbase edhe ata që kanë abuzuar me luftën. Mbase edhe do që janë lavdruar, pa ja bë kurrë bamë...”, kishte shkruar Zeka në Facebook.

(Kosova Sot Online)