Horror Kosovë: Një e mitur tenton të vetëvritet, katër gra rrihen nga bashkëshortët

  • 24 November 2019 - 12:32
Horror Kosovë: Një e mitur tenton të vetëvritet, katër gra rrihen nga bashkëshortët

Katër gra janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre përgjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Një grua nga Deçani ka therur me thikë vëllain e saj, ndërkaq një e mitur nga Gjakova ka tentuar të vetëvritet pas presionit nga babai i bashkëshortit të saj.

24 orëshi i fundit në Kosovë nuk ka kaluar pa raste të dhunës në familje.

Katër burra kanë sulmuar psiqikisht e fizikisht gratë e tyre, duke iu shkaktuar edhe lëndime trupore.

Dy burra nga Prishtina kanë përfunduar në mbajtje, pasi të njëjtit kanë sulmuar fizikisht bashkëshortet e tyre.

Viktimat e këtyre dy rasteve të ndara kanë pranuar tretman mjekësor.

E një burrë nga Obiliqi ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Me urdhër të prokurorit, i njëjti do të intervistohet pasi t’i kalojë dehja.

Viktima në këtë rast ka pësuar lëndime të dukshme në fytyrë dhe ka marrë tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Një gjakovar i cili e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, është dërguar në mbajtje. Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se shkaqet e sulmit fizik ndaj bashkëshortes janë ende të panjohura. 

Ndërkaq një vajzë e mitur nga Gjakova ka tentuar të vetëvritet pasi e njëjta ka pasur presion nga babai i bashkëshortit të saj.

Policia bën të ditur se viktima ka tentuar t’i presë venat e duarve, ndërkaq është dërguar për tretman mjekësor.

I dyshuari, në këtë rast vjehrri i së miturës, është dërguar në mbajtje dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

E një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur të shtunën në Deçan. Një grua e ka therur me thikë vëllain e saj i cili ka pranuar ndihmë mjekësore.

Policia bën të ditur se e dyshuara ka pasur probleme mendore dhe me vendim të prokurorit është dërguar për shërim në repartin e psikiatrisë.

(Kosova Sot Online)