“Vrasje, plagosje, kidnapime, shantazhe...”, kërkohet hetimi i SHIK-ut të Kadri Veselit

  • 24 November 2019 - 14:07
“Vrasje, plagosje, kidnapime, shantazhe...”, kërkohet hetimi i SHIK-ut të Kadri Veselit

“Madje duke pasur parasysh faktin se edhe pas dëbimit të Serbisë, në Kosovë sërish kanë ndodhë mijëra vrasje, plagosje, kidnapime,shantazhe, zhvatje dhe vepra tjera të natyrës penale, ku në shumicën e rasteve,viktimë kanë qenë vetëm shqiptarët, medoemos duhet të ndërmerren hetimet e nevojshme dhe të dalin në dritë bëmat e SHIK-ut, sidomos tani kur partinë mëmë të kësaj organizate PDK-n, dhe kryetarin e saj Kadri Veseli, populli i Kosovës i rrëzoi nga pushteti mbi një dekadësh dhe i dërgoi përfundimisht në opozitë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, dy herë radhazi pati marr nismën për krijimin e një grupi-komisioni hetimor për ta hetuar veprimtarinë dhe të kaluarën e SHIK-ut, por nuk kishte arritur që të siguron mbështetjen e duhur, edhe pse premtimet e asaj kohe kishin qenë pozitive, edhe nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, madje edhe të PDK-së. Në momentin kur kërkoheshin votat, nisma pengohej dhe kështu tentativa ka dështuar dy herë radhazi.

Analistët politikë kërkojnë që kjo kërkesë tani të bëhet realitet, ngase LVV dhe LDK do ta kenë shumicën në Kuvend, dhe nuk do ta kenë asnjë pagesë për të iniciuar dhe çuar deri në fund çfarëdo nisme të re parlamentare.

Aq më tepër është e domosdoshme të zbulohet dhe mësohet e kaluara e mistershme e veprimtarisë së SHIK-ut, prandaj nga analistët politikë i kërkohet që tani Qeverisë në ardhje, me kryeministër Albin Kurtin, ta fillojë dhe çojë deri në fund një proces hetimor ndaj kësaj organizate që ka funksionuar nën ombrellën politike të PDK-së, dhe kështu të dalin në dritë të gjitha të bëmat e SHIK-ut. 

Analistët shtojnë se tani është më i lehtë hetimi i SHIK-ut, kur ish udhëheqësi i saj, Kadri Veseli do të gjendet në opozitë, e jo në pushtet për ta penguar një proces të tillë, sikur që ka vepruar në të kaluarën.

Image
Qani Qarri

“Sa i takon SHIK-ut, fatkeqësisht ende edhe sot e kësaj dite mbeten shumë pikëpyetje të pa sqaruara, si zbardhja e veprimtarisë dhe fakti se pikë së pari a ishte kjo organizatë vërtet në dobi të shtetit dhe popullit të Kosovës, apo vetëm të një grupimi politik, që pa marr parasysh mënyrën, të arrinin imponimin e ndryshimeve në pushtet. Pikërisht për këto arsye Lëvizja Vetëvendosje edhe sa ishte në opozitë pati marr nismën për krijimin e një grupi hetimor që ta sqaronte veprimtarinë e SHIK-ut, por duke pasur parasysh konstelacionin e atëhershëm partiak e politik, tentativa e saj dështoi padrejtësisht. Ndaj duhet të sqarohen qëllimet dhe mënyrat e veprimit, burimi i financimit dhe llogaridhënia se prej kujt merrnin urdhra nga kush kontrolloheshin si dhe cilëve persona u përgjigjeshin këta njerëz për veprimet e tyre të cilat mund të kenë qenë edhe antishqiptare dhe jo çdo herë konform ligjeve në vend”, tha analisti politik, Qani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, fillimi i dekonspirimit të së kaluarës së veprimtarisë së SHIK-ut, me siguri që do të ndodhë me shkuarjen e figurave kyçe të kësaj organizate në Gjykatën Speciale, por një pjesë e madhe e barrës së përgjegjësisë për hetim të plotë të veprimtarisë së SHIK-ut, gjithsesi iu takon institucioneve të shtetit të Kosovës, e këtë, sipas tij, më së miri e më së lehti do ta bënte Qeveria Kurti në koalicion me LDK-në.

“Për të zbardhur përfundimisht bëmat dhe veprimtarinë e kamufluar të SHIK-ut, përveç Gjykatës Speciale e cila pritet t’i sqarojë një numër të rasteve, me të ardhur LVV në qeveri, ashtu siç edhe ka premtuar, duhet ta inicioi përsëri krijimin e një komisioni hetimor qeveritar, në mënyrë që të hetohet rrënjësisht veprimtaria e SHIK-ut nga Qeveria në ardhje me kryeministër Albin Kurtin”, tha analisti politik Gani Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Qarrit, janë vrasjet politike të pas luftës që kanë ndodhur në Kosovë, veprime kriminale që i janë adresuar strukturës së SHIK-ut, gjë që duhet të zbardhjet kjo e vërtetë dhe të mos mbetet akoma në errësirë dhe e pa njohur nga drejtësia, aq më lehtë kur ndikimi politik në institucione do të jetë jashtë strukturave të PDK-së dhe Kadri Veselit.

“Madje duke pasur parasysh faktin se edhe pas dëbimit të Serbisë, në Kosovë sërish kanë ndodhë mijëra vrasje, plagosje, kidnapime,shantazhe, zhvatje dhe vepra tjera të natyrës penale, ku në shumicën e rasteve, viktimë kanë qenë vetëm shqiptarët, medoemos duhet të ndërmerren hetimet e nevojshme dhe të dalin në dritë bëmat e SHIK-ut, sidomos tani kur partinë mëmë të kësaj organizate PDK-në, dhe kryetarin e saj Kadri Veseli, populli i Kosovës i rrëzoi nga pushteti mbi një dekadësh dhe i dërgoi përfundimisht në opozitë”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)