Përmbytet pjesërisht anija me rreth 15 mijë dele, shpëtohen disa prej tyre

  • 25 November 2019 - 09:15
Përmbytet pjesërisht anija me rreth 15 mijë dele, shpëtohen disa prej tyre

Ekipet e shpëtimit po mundohen t’i shpëtojnë 14 mijë e 600 dele pasi një anije në të cilën ndodheshin ato u përmbyt pjesërisht në ujërat e Detit të Zi, afër brigjeve të Rumanisë.

Anija “Queen Hind”, e nisur drejt Arabisë Saudite, u përmbyt të dielën disa minuta pasi u nis për lundrim nga porti Midia në Rumani.

Ekuipazhi me 20 sirianë dhe një libanez u shpëtua bashkë me 32 dele, dy prej të cilave u nxorën nga uji, tha Ana Maria Stoica, zëdhënëse e ekipeve të shpëtimit.

“Operacioni i shpëtimit është duke vazhduar. Shpresojmë se delet që janë brenda anijen të jenë të gjalla”, tha kjo zëdhënëse.

Ajo shtoi se ekipet e shpëtimit, bashkë me ushtrinë, policinë dhe zhytësit, po bëjnë përpjekje që ta kthejnë anijen në pozitë normale në ujë dhe ta dërgojnë në port.

Për këtë rast ka reaguar shoqata e kultivuesve të gjedheve, e cila ka kërkuar hetim urgjent. Në deklaratën e tyre thuhet: “Nëse nuk mund t’i mbrojmë gjedhet gjatë transportimit me distancë të madhe, atëherë duhet ta ndalojmë këtë transportim”.

Ndryshe, Rumania është vendi i tretë në Bashkimin Evropian për numrin më të madh të deleve, pas Britanisë dhe Spanjës, ndërsa e zë vendin e parë për eksportimin e këtyre kafshëve. Shumicën e tyre i shet në tregjet e Lindjes së Mesme, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)