Shifra të tmerrshme: Katër fëmijë të vdekur nga kanceri, mbi 35 raste të reja këtë vit

  • 25 November 2019 - 10:12
Shifra të tmerrshme: Katër fëmijë të vdekur nga kanceri, mbi 35 raste të reja këtë vit

Që nga janari e deri në muajin dhjetor të këtij viti, në repartin e Leukemisë dhe Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, rreth 38 raste të reja të fëmijëve janë paraqitur me sëmundje malinje. Por katër fëmijë gjatë këtij viti kanë humbur betejën nga sëmundja e kancerit e leukemisë. Këto të dhëna i kanë bërë të ditura për media, zyrtarë nga Reparti i Hemato-Onkologjisë së QKUK’së.

“Vlerësoje jetën dhe qëndroj asaj sepse ju jeni duke e jetuar këtë jetë”, ky është mesazhi i cili i bie në sy secilit pacient e vizitor në repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë së QKUK’së. Këtë mesazh e kishte shkruar një vajzë e mitur e cila kishte vuajtur nga leukemia e që fatkeqësisht e ka humbur betejën më këtë sëmundje.

Dëshmore Kelmendi, vetëm 15-vejcare para disa vitesh ishe diagnostikuar me sëmundje malinje. Por me forcë dhe vullnet për cdo ditë  e kishte luftuar sëmundjen e leukemisë. Fatkeqësisht, betejën më këtë sëmundje, ajo e humbi para disa viteve.

Por, ajo do të mbahet mend gjithmonë. Fjalët e saja, janë  të gdhendura në murin e pavionit të Hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

Në dhomat përgjatë këtij korridori gjenden të shtrirë edhe dhjetëra fëmijë të tjerë që fatin e jetës së tyre ua kanë lënë në dorë mjekëve tanë.

Sipas doktorëve të këtij reparti, përgjatë gjithë vitit në Repartin e Hematologjisë, Leukemisë dhe Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të këtij viti me sëmundje malinje  janë diagnostikuar 38 raste të reja të fëmijëve  që janë prekur me sëmundje malinje.

Këtë fakt e ka dhënë për  media, drejtoresha në këtë repart, Violeta Grajqevci. Ajo ka thënë se disa nga këto raste janë referuar ëpr trajtim jashtë vendit ngas enë Kosovë nuk ka aparatura e as medikamente adekuate për trajtimin e këtyre sëmundjeve.

“Gjatë këtij viti në Repartin e Hemato-Onkologjisë janë lajmëruar 38 raste të reja me sëmundje malinje. Shumica e rasteve janë trajtuar në repartin tonë por ka edhe raste që janë udhëzuar për trajtim jashtë vendit”, ka deklaruar për  media.

Ndërkohë për fat të keq, vetëm brenda këtij vitit, katër fëmijë kosovarë nuk kanë mundur që ta fitojnë betejën me sëmundjen e kancerit.

“Sa i perket rasteve që nuk kanë mbijetuar janë vetëm 4 raste”, thotë drejtoresha e repartit të Hemato-Onkologjisë në QKUK.

Nga 50 deri në 55 raste që lajmërohen në këtë klinikë, rreth 25 prej tyre janë me leukemi.

E megjithëkëtë, gjatë vitit të kaluar janë lajmëruar 51 raste të reja.

Ndryshe, Mbi 4 mijë persona që nga viti 2017 e deri më tani vlerësohet se janë prekur me kancer në Kosovë. Shkaktarët e kësaj sëmundjeje thuhet se janë të ndryshëm, derisa kërkohet që qytetarët të ushqehen shëndetshëm e të bëjnë aktivitete fizike.

Nga hulumtimet që janë bërë deri tani thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionëve.

(Kosova Sot Online)