Pavarësisht presionit amerikan, Turqia do ta testojë sistemin rus, S-400

  • 25 November 2019 - 11:40
Pavarësisht presionit amerikan, Turqia do ta testojë sistemin rus, S-400

Pavarësisht presionit nga Uashtingtoni, mediet turke raportuan se aeroplanët F-15 do të fluturojnë në qiellin e Ankarasë për ta testuar sistemin raketor rus, S-400, të cilin Turqia e bleu disa muaj më parë nga Rusia.

Blerja e këtij sistemi nga Turqia ishte bërë shkak për tensionim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se sistemi S-400 nuk përshtatet me sistemet mbrojtëse të NATO-s dhe paraqet kërcënim për aeroplanët luftarakë amerikanë të modelit F-35.

Zyra e guvernatorit provincial në Turqi njoftoi të dielën se aeroplanët luftarakë F-16 dhe disa aeroplanë të tjerë do të fluturojnë në lartësi të vogël në Ankara të hënën dhe të martën për ta testuar sistemin e mbrojtjes ajrore.

Analistët financiarë thanë se raportimet për këtë testim ndikuan në dobësimin e mëtutjeshëm të lirës turke në raport me dollarin amerikan. Tensionet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara kishin ndikuar në rënie prej 30 për qind të vlerës së lirës turke vitin e kaluar. 

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të enjten e kaluar se Turqia duhet ta largojë këtë sistem. Këto komente erdhën pas takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij turk, Rexhep Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë.

Pas takimit, presidenti amerikan tha se biseda me liderin turk ishte e mrekullueshme, por nuk ishte e qartë nëse ata arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e sistemit rus, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)