Shënohet rekord i gazrave në atmosferën e Tokës

  • 25 November 2019 - 12:26
Shënohet rekord i gazrave në atmosferën e Tokës

Organizata Botërore e Meteorologjisë e Kombeve të Bashkuara e ka publikuar një raport, në të cilin thuhet se niveli i gazrave të karbonit në atmosferën e Tokës ka arritur në një nivel rekord.

Rritja e nivelit të gazrave kryesore, të matur në vitin 2018, ishte mbi mesataren e dekadës së fundit, duke dëshmuar në këtë mënyrë se masat e marra kundër ngrohjes globale nuk kanë dhënë ndonjë efekt.

Shtimi i përqendrimit të gazrave që shkaktojnë ngrohje të klimës vjen në mënyrë të pashmangshme nga rritja e lirimit të këtyre gazrave në nivel botëror. Shkencëtarët tash vlerësojnë se këto gazra duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030 në mënyrë që të arrihet objektivi për kufizimin e rritjes së temperaturës mesatare për 1.5 gradë. 

Nëse ky qëllim nuk arrihet, njerëzimi pritet të përballet me më shumë valë të motit të nxehtë, thatësira, vërshime dhe varfëri.

“Ia vlen të theksohet se hera e fundit kur Toka ka pasur nivel kaq të lartë të gazrave ishte 3 deri 5 milionë vjet më parë. Në atë kohë, temperature mesatare ishte 2-3 gradë më e lartë dhe niveli i detit ishte 10-20 metra më i lartë sesa tash”, tha Petteri Taalas, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë.

Në raportin e kësaj organizate, të publikuar të hënën, thuhet se përqendrimi mesatar botëror i dyoksidit të karbonit në vitin 2018 shkoi në 407.8 grimca për milion, ndërsa në vitin 2017 kjo shifër ishte 405.5 grimca për milion.

Ky nivel është 50 për qind më i lartë se në vitin 1750, para se bota të përfshihej nga revolucioni industrial, i cili u përcoll me djegie të thëngjillit, gazit dhe naftës, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)