Piloti i aeroplanit pëson sulm fatal në zemër gjatë fluturimit në Rusi

  • 25 November 2019 - 12:44
Piloti i aeroplanit pëson sulm fatal në zemër gjatë fluturimit në Rusi

Një aeroplan u detyrua të bëjë ulje emergjente në Rusi pasi njëri nga pilotët që po e drejtonte atë pësoi sulm në zemër gjatë fluturimit.

Fluturimi me numër SU1546 i kompanisë “Aeroflot” ishte duke u realizuar nga Moska drejt Detit të Zi. Megjithatë, ai u ndërpre në qytetin Rostov-on-Don.

Aeroplani i tipit “Airbus 320”, i cili i zë 150 persona, ishte në mesin e fluturimit kur poloti pësoi sulm në zemër. Anëtarët e ekuipazhit kërkuan ndihmë nga pasagjerët, duke pyetur nëse ndokush prej tyre ishte mjek, por askush nuk u përgjigj.

Yelena Voronova, njëra nga pasagjeret, tha: “Një stjuardesë vraponte nëpër mesin e aeroplanit. Më vonë na pyetën nëse kishte ndonjë mjek në mesin e pasagjerëve dhe thanë se kanë nevojë për mjek. Të njëjtën gjë e bënë përsëri më vonë”.

Ndonëse pilotit iu ofrua ndihma mjekësore pasi aeroplani u lëshua në tokë, ai vdiq disa minuta më vonë.

Sipas të dhënave të fluturimeve, aeroplani e vazhdoi fluturimin e ndërprerë drejt destinacionit të planifikuar me dy orë e gjysmë vonesë.

Kompanitë e fluturimeve komerciale janë të detyruara që t’i kenë së paku dy pilotë në secilin aeroplan. Pilotët janë gjithashtu të trajnuar të veprojnë në situata emergjente, kur njëri prej tyre pëson krizë shëndetësore, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)