Ankesa e VV-së në Supreme shtyn publikimin e rezultatit të zgjedhjeve

  • 25 November 2019 - 15:11
Ankesa e VV-së në Supreme shtyn publikimin e rezultatit të zgjedhjeve

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka njoftur se nuk do të mund të i publikojnë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pa u shqyrtuar ankesat e dorëzuara në Gjykatë Supreme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se janë informuar nga Supremja se është parashtruar një ankesë ndaj vendimit të një ditë më parë të PZAP-së.

“Më lejoni t’iu informoj se kemi marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar ankesë ndaj vendimit të një dite më herët të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, prandaj, rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojmë në këtë fazë. Rezultatet nuk mund të publikohen pa një konfirmim, në këtë rast nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim”, ka thënë Elezi.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se janë ankuar sot në Gjykatë Supreme për 392 pako të ardhura nga diaspora, që kanë ardhur në adresë të KQZ-së me 12 nëntor.

Ata po kërkojnë nga Supremja që të urdhërojë numërimin e këtyre fletëvotimeve.

(Kosova Sot Online)