Task-Forca e Kosovës kalon kufirin për në Shqipëri

  • 26 November 2019 - 11:13
Task-Forca e Kosovës kalon kufirin për në Shqipëri

Pas marrjes së urdhrit nga komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, një kontingjent i Taskë Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, për kërkim-shpëtim urban është nisur për në Shqipëri.

Të pajisur me mjetet teknike të specializuara, ata u nisën sot në mëngjes për t’u ndihmuar autoriteve shqiptare dhe banorëve shqiptarë, me qëllim të përballimit të situatës së krijuar pas goditjes së tërmetit në disa vendbanime të saj.

Kontingjenti i FSK-së, përbëhet nga 3 ekipe të kërkim–shpëtimit urban, një ekip K-9, (njësi e përgatitur e qenëve) për situata të tilla, ekipi i komunikimit, policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i mjekësisë.

Lidhur me situatën pas tërmetit në Shqipëri, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, njoftoi: “Varësisht prej nevojave që do të paraqiten në terren, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me kapacitete shtesë” .

(Kosova Sot Online)