Kinezi blen karakterin e lojës për 1.4 milion dollarë, shoku ia shet gabimisht për 500

  • 26 November 2019 - 11:18
Kinezi blen karakterin e lojës për 1.4 milion dollarë, shoku ia shet gabimisht për 500

Një burrë në Kinë, i cili i shpenzoi më shumë se një milion dollar për ta blerë një karakter në një video-lojë, e ka paditur shokun e tij pasi ia shiti atë gabimisht për më pak se 500 dollarë.

Lu Mou i shpenzoi gati dhjetë milionë juanë ose 1.4 milion dollar për zhvillimin e një karakteri në lojën “Justice Online”, sipas dokumenteve të gjykatës, të publikuara nga një faqe kineze.

Ky karakter më pas ishte vendosur në listën e karaktereve në shitje në tregun “NetEase” për vetëm 3888 juanë nga shoku i Mou-t, Li Mouscheng.

Mouscheng ishte përpjekur që t’ia kthente shokut karakterin e lojës pasi ia kishte huazuar për të luajtur, por e bëri një gabim për shkak të, siç tha ai, lodhjes nga loja e gjatë.

Një gjykatës në provincën Sichuan vendosi që karakteri duhet t’i kthehet pronarit origjinal, ndërsa një dëmshpërblim prej 90 mijë juanësh duhet t’i jepet personit që e bleu karakterin më çmim të vogël.

Kjo gjykatë gjithashtu i paralajmëroi njerëzit që të kenë kujdes nga shpenzimi i shumave të mëdha të parave në video-lojëra.

Ndryshe, Kina ka miratuar masa të ashpra kundër këtyre lojërave në përpjekje për ta luftuar varësinë e njerëzve ndaj tyre. Fëmijët nën moshën 18-vjeçare kanë të drejtë të luajnë me video-lojëra vetëm 90 minuta në ditë, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)