Mitrovicasi shpërthen në lot derisa tregon që strehon në shtëpinë e tij 6 familje nga Shqipëria

  • 27 November 2019 - 11:52
Mitrovicasi shpërthen në lot derisa tregon që strehon në shtëpinë e tij 6 familje nga Shqipëria

Të prekur thellësisht nga tërmeti që ka goditur Shqipërinë, janë edhe të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët qysh nga mëngjesi i së martës kanë organizuar iniciativa të shumta për të ndihmuar popullin shqiptar.

Me të holla, ushqim e veshmbathje ishte kontributi i shumë kosovarëve. Pos kësaj, shumë kryefamiljarë nga Kosova, hapën dyert e shtëpive të tyre për familjet që mbetën pa kulm mbi kokë.

Në mesin e tyre është edhe qytetari nga Mitrovica, Gani Gërxhaliu. I ftuar në një emision ai tregoi se në shtëpinë e tij do të mirëpresë gjithsej 6 familje nga Shqipëria, të cilat do të mbërrijnë në Mitrovicë gjatë ditës së sotme.

“E kam siguruar hapësirën për akomodim, ushqimin, veshmbathjen e gjithçka për vëllezërit nga Shqipëria”.

Ai në studio nuk i mbajti lotët derisa kujtoi ndihmën që Shqipëria ia pati bërë popullit kosovar gjatë luftës së fundit.

(Kosova Sot Online)