Rrëfimi i studentit kosovar që përjetoi tmerrin gjatë tërmetit në Shqipëri

  • 27 November 2019 - 12:12
Rrëfimi i studentit kosovar që përjetoi tmerrin gjatë tërmetit në Shqipëri

Kosovari Elion Kollçaku është student në Universitetin e Tiranës dhe prej dy vjetësh jeton atje.

Ai studion master në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, derisa edhe në mëngjesin e 26 nëntorit gjendej në Tiranë.

Elioni për një emision ka treguar tmerrin e atij mëngjesi, duke folur po ashtu edhe për panikun e të gjithë banorëve në Shqipëri.

“Kam përjetu tërmete edhe më herët, mirëpo ky tërmet ishte krejt diçka tjetër. E pashë që po lëvizte e gjithë banesa dhe në momentet e para që ndodhi, e kisha bindjen që ndërtesa ka me u shembë komplet. Ka qenë vërtet shok i madh”, është shprehur Elioni.

Ai më tutje tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm me miqtë nga Tirana, të cilët, sipas tij, janë tejet të traumatizuar me atë që ka ndodhur.

“Frika më e madhe e tyre është se një gjë e tillë mund të përsëritet. Mbrëmë po flisja me një shoqe timen, e cila tha se kishin dalë me gjithë familjen në sheshin e Tiranës sepse nuk ndiejnë siguri. Ka qenë vërtet një moment tronditës, nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë, prandaj kjo është frika më e madhe e imja edhe e miqve të mi”.

Nga tërmeti i mëngjesit të së martës në Shqipëri, deri më tani kanë humbur jetën 29 persona.

(Kosova Sot Online)