Ngrihet aktakuzë ndaj 6 zyrtarëve policor nga Gjakova që dyshohet se keqtrajtuan një të burgosur

  • 27 November 2019 - 12:24
Ngrihet aktakuzë ndaj 6 zyrtarëve policor nga Gjakova që dyshohet se keqtrajtuan një të burgosur

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë zyrtarëve policor të Gjakovës, nën dyshimet se kanë keqtrajtuar një person që ishte në paraburgim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Kristë Gjokaj, komandan i stacionit policor,  më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit, ka keqtrajtuar të dëmtuarin M.A., i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Në këtë mënyrë, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu,  edhe të pandehurit B.P., G.B., A.I. dhe M.U., kanë keqtrajtuar të dëmtuarin M.R., ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor. 

Me këto veprime, të pandehurit B.P., G.B., A.I. dhe M.U., kanë kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri SH.L., si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar të pandehurve M.U., G.B. dhe A.I., të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari M.R., të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Në këtë mënyrë, i pandehuri SH.L., ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Të njejtët zyrtarë policor ishin suspenduar kohë më parë nga puna nga Inspektorati i Policisë.

Kundër suspendimit të policëve të Gjakovës, kishte pasur edhe protesta në këtë qytet me arsyetimin se po suspendohen nga puna policët të cilët po e luftojnë krimin, ndërsa plaçkitësit dhe kriminelët tjerë po qëndrojnë në liri.

(Kosova Sot Online)