Basha viziton Thumanën: Gjendja e jashtëzakonshme të mos mbetet në letër

  • 27 November 2019 - 14:31
Basha viziton Thumanën: Gjendja e jashtëzakonshme të mos mbetet në letër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë sot në Thumanë ku ka vizituar banorët e dëmtuar nga tërmeti.

Ai bëri thirrje që të merren menjëherë masat pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe kjo gjë të mos mbesë në letër.

Kreu i opozitës theksoi pesë pika kryesore që duhet të jenë prioritet. Së pari, ai kërkoi mbështetje të plotë për përfundimin e “operacionit të kërkimit dhe nxjerrjes së trupave”.

Prioriteti i dytë sipas Bashës duhet të jetë strehimi i “dhjetëra dhe qindra familje qe kane mbetur të pastrehë për shkak të dëmtimit të banesave të tyre”

“Ata nuk duhet të qëndrojnë më në çadra, moti është i ftohtë, kushtet janë të papranueshme. Gjendja e jashtëzakonshme i jep qeverisë mundësinë të alokojë fondet për të bërë të mundur strehimin” tha Basha.

Së treti kreu i opozitës nënvizoi mungesën e pajisjeve të specializuara për përballimin e rasteve të tilla. Ai falënderoi Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit por tha se “I kemi parë me sytë tanë që punonin me duar as dorashka nuk kishin.”. Kështu që si prioritet të tretë ai cilësoi “blerjen e pajisjeve dhe trajnimin e trupave speciale duhet të trajtohen në këtë periudhë si një emergjencë.”

Ai bëri thirrje që të evidentohen të gjithë objektet të cilat janë në rrezik.

“Nëqoftëse do të ishte ndjekur procedura e sigurisë, këto dy pallate që janë vende të katastrofës njerëzore nuk do të ishin të përdorura.”, tha Basha.

Së fundmi, kreu i demokratëve tha se duhen marrë masa për të luftuar shokun dhe panikun tek njerëzit dhe kjo bëhet jo përmes propagandës por përmes informimit tha ai.

“Duhen masa të menjëhershme për të luftuar shokun, stresin dhe panikun. Kjo nuk bëhet me propagandë por bëhet me informim, duke informuar se në çfarë zone ndodhet Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit dhe se si kjo influencon fenomene si tërmetet. Mirinformimi i qytetarëve lufton panikun.”

(Kosova Sot Online)